Gjilan, 25 janar 2018 – “Jam i impresionuar me punën e madhe që pashë në institucionet lokale të Gjilanit gjatë vizitës sw sotme. E falënderoj kryetarin Lutfi Haziri për pritjen e ngrohtë për këto dy ditë sa po qëndrojmë këtu”.
Këto komente i ka bërë sot kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, pas vizitës me kryetarin Lutfi Haziri në Zyrën e KE’së, kampusin e shkollave të mesme, institucionin parashkollor “Ardhmëria 2”, shkollën fillore në fshatin Ponesh, ku mësojnë nxënësit e dy komuniteteve, Muzeun e Qytetit dhe biblioteken rajonale “Fan S. Noli”.
Kryetari i Komunes se Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se pas binjakzimit me Kumanovën 12 vite më parë dhe punës në programin e përbashkët në modernizimin e Tregut të Gjelbërt, vizitat e sotme janë bërë për t’u njohur më për së afërmi me punën dhe angazhimin që bëhet në disa resore.
“Në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit që kemi krijuar deri më tani me Komunën e Kumanovës, përmes këtyre vizitave, por edhe njohjes nga afër me institucionet e arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe institucione të tjera, po bëjmë krijimin e lidhjeve më të mëdha dhe të fuqishme mes dy komunave. Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin edhe në fushën e kulturës në të ardhmen”, ka thënë kreu i Gjilanit.
Në fund, kryetari i Kumanovës ka ftuar kryetarin Haziri për të bërë një vizitë në këtë qytet, për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin.