Gjilan, 4 gusht 2023 / Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, e cila siç ka thënë kryesuesi Kushtrim Kadriu, është ftuar me kërkesë të 12 këshilltarëve dhe në rend dite ka një pikë të vetme – shkarkimin e anëtarëve të Komisioneve komunale të aksionarëve në tri ndërmarrje publike lokale, Tregu, Stacioni i Autobusëve dhe Ecohigjiena si dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
Bujar Nevzati, në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së dhe Avdyl Aliu, në emër të grupit të LDK-së, kanë kërkuar nga anëtarët e Kuvendit që të miratojnë kërkesën për shkarkimin e anëtarëve të Komisioneve dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj, duke i dhënë edhe arsyet, derisa Nazim Gagica (AAK) ka thënë se subjekti që përfaqëson ai do të mbajë qëndrim neutral ndaj këtij propozimi.
Ndërkaq, përfaqësuesit e LVV, Arianit Sadiku, Ismajl Kurteshi, Krenare Latifi Kqiku e Besnik Shala kanë kontestuar legjitimitetin e kryesuesit, meqë ende nuk është përmbushur afati ligjor për ushtrimin e detyrës nga ai, përkatësisht kanë kërkuar sqarime për arsyet e shkarkimit të secilit anëtarë të komisioneve, veç e veç.
Kuvendi, me 18 vota për dhe 2 kundër ka shkarkuar dy anëtarët e Bordit të ndërmarrjes Tregu, me 17 vota për, 3 kundër dhe një abstenim – anëtarët e Bordit të Ecohigjienës, përkatësisht me 17 për dhe një abstenim – anëtarët e Bordit të ndërmarrjes Stacioni i Autobusëve.
Kuvendi ka zgjedhur anëtarë të rinj në këto ndërmarrje Driton Nuhiun e Sadete Pajazitin (Tregu), Besnik Mustafën e Veli Jahiun (Ecohigjiena), Albulena Asllanin e Florim Arifin (Stacioni i Autobusëve).
Kuvendi i Komunës së Gjilanit, pas prishjes së koalicionit qeverisës LVV-PDK, udhëhiqet nga opozita.