Gjilan/11 janar 2021 – Me ndezjen e Flakadanëve te Varrezat e Dëshmorëve dhe në Platonë e Teatrit të Qytetit, në Gjilan është bërë hapja solemne e Manifestimit Tradicional “Flaka e Janarit 2021”.
Në hapje të edicionit të 30-të jubilar, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, tha se në këtë pikë të lartë ku krenaria e qytetit tonë shënon “Lapidarin e Lirisë”, ku qindra burra e gra janë të shënuar në pllakën e krenarisë, ku heronjtë e kombit i bëjnë roje lirisë, sivjet shënojmë edicionin e 30-të të “Flakës së Janarit”, manifestim kulturor i cili tash e tri dekada me radhë në Komunën e Gjilanit dhe hapësirën mbarëkombëtare shënon respektin për veprën, heroizmin dhe shpirtin e bardhë të heronjve të cilët i dhanë Kosovës lirinë.
“Rexhep Mala e Nuhi Berisha në këtë natë të 30 viteve më parë, në Kodrën e Trimave në Prishtinë shënuan kryengritjen e parë të shqiptarëve për të qenë të barabartë, të lirë dhe të bashkuar. Sonte familjet Mala e Berisha, sikurse çdo vit, ndiejnë krenarinë e madhe dhe dhimbjen në të njëjtën kohë, pasi i dhanë kombit e atdheut më të dashurit e tyre, për t’i gëzuar miliona shqiptarë me lirinë e Pavarësinë në Republikën e tyre”, tha Haziri.
Haziri potencoi me këtë rast se ky vit shënon vitin e Kadri Zekës, i pari ndër gjithë ne të gjallët, dhe i pari ndër heronjtë, i cili u organizua, u kryengrit, u detyrua që nga mërgimi të punojë për atdhe, u ndalë në mënyrë tinëzare në acarin e ftohtë të janarit, ndaj shënon gjithë atë rresht të gjatë të heronjve të Anamoravës që kombit i dhanë nderin.
Për më tepër, kryetari Haziri shtoi se këtë vit heroi Kadri Zeka do të zbarkojë në bronz në qytetin e tij, aty ku u rritë e u kalit dhe u bë ideolog i mijëra luftëtarëve e aktivistëve, si dhe veteranëve që sot i kujtojmë deri në përjetësi.
Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, në emër të bashkëluftëtarëve, tha se Rexhep Mala e Nuhi Berisha, para 37 vitesh i kanë parapri Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, e brumosur dhe e mbushur me bijtë e bijat më të mira të vendit, idealistë si Rexhep Mala e Nuhi Berisha, do të angazhohen më pas për të luftuar dhe fituar lirinë.
“Kjo natë e sotme para 37 vitesh ishte edhe pikëllim, edhe një sinjal për kryengritje të popullit tonë për Liri e Pavarësi. Rexhap Mala e Nuhi Berisha, sikurse Kadri Zeka e Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, ishin paraprijësit e një lufte të drejtë të popullit tonë, e cila u fitua kundër armikut”, tha Isufi.
Në emër të familjes Mala e Berisha, të pranishmit i ka përshëndetur e falënderuar, Betim Berisha, nipi i heroit Nuhi Berishës, i cili ka theksuar se si familje ndihen të nderuar me përkushtimin e institucioneve, të cilat çdo vit sjellin risi në strukturën organizative të tërësisë së manifestimit “Flaka e Janarit”.”
Manifestimi shumë kulturorë mbarëkombëtar “Flaka e janarit 2021”, këtë vit është parapa të mbahet me aktivitete të larmishme kulturore në nderim të heronjve e dëshmorëve, ndërsa aktivitetet e gjithmbarshme do të organizohen në harmoni të plotë me rekomandimet e institucioneve qendrore, nën masat e parapara mbrojtëse nga pandemia “Covid-19”.
Shih për këtë Komuna e Gjilanit dhe DKRS janë mobilizuar që aktivitetet e tërësishme të “Flaka 2021”, t’i regjistrojnë për t’ua sjellë artdashësve dhe qytetarëve në përgjithësi, përmes mënyrave alternative, të xhiruara e distribuara në media lokale e nacionale, pasi numri i pjesëmarrësve do të jetë i kufizuar.
Flakadanët në Kodrën e Dëshmorëve dhe në Teatrin e Qytetit, do të qëndrojnë ndezur 20 ditë me radhë, nga sot deri më 31 janar, sa do të zgjasë manifestimi.