Një mësimdhënës si Ramiz Keka do të lë një boshllëk të madh në stafin e shkollës sonë, fjalë këto që i filloi drejtori i shkollës z. Arsim Bejtullahu për të shtuar se:
Të flasësh për Ramizin nuk mund që gjithë atë që do ta thuash për të, ta fokusosh vetëm në profesionin e tij prej mësimdhënësi sepse me këtë rast do t’i tejkalonim vlerat e tij si një familjar i mirë, koleg i mirë me të gjithë, si vlerën e tij më të çmuar përveq atij të profesionistit por edhe një njeri i cili çdo herë kur janë rrezikuar normat demokratike ai si amortizues i veçantë ka arritur të krijoj qetësinë, mirëbesimin dhe kompromisin mes njerzëve për të mirën e shoqërisë dhe institucionit ku ai punoi.
Ramizi me shembullin e tij prej mësimdhënsi ka mbetur krenaria e shkollës “Abaz Ajeti” dhe një mësimdhënës i pazëvendësueshëm .
Duke i uruar shëndet në familjen e tij të mrekullueshme drejtori i shkollës dhuroi Mirënjohjen më të merituar për kontributin e tij në procesin e mësimdhënies me pervojë 30 vjeçare.
Zëvendësdrejtoresha e shkollës Merita Asllani iu referua punës profesionale dhe sjelljes korrekte të mësimdhënësit Ramiz Keka duke qenë kështu jo vetëm mësimdhënës e koleg, por edhe mik për gjithë stafin e shkollës.
Ndersa mësimdhënësi Ramiz Keka u shpreh tejet falënderues në fjalën e tij për çdo sfidë, sukses e kujtim të jetuar bashkë me koleget dhe nxënësit e shkollës. Ai porositi mësimdhënësit të vazhdohet dhe të ruhet ky bashkëpunim e kolegialitet në këtë shkollë me kolektivin më të mirë në qytet e me gjerë siç e quajti ai.
Puna profesionale dhe cilësore e mësimdhënësit Ramiz Keka i ka sjellë shkollës sonë shumë shpërblime nga aktivitetet sportive ku ai ka marrë pjesë. Mësimdhënësi Ramiz Keka njihet si një mësimdhënës i dalluar me punën e tij të mirë dhe profesionale. Për shumë vite ai dha kontributin e tij të jashtëzakonshëm në avancimin dhe ngritjen e cilësisë në shkollën tonë dhe në arsimin në përgjithësi. Ai u dallua gjithmonë për korrkësinë e tij, punën, devotshmërinë, kolegialitetin dhe mbi të gjitha vlerat e tij si një njeri i mrekullueshëm.
Stafi dhe nxënësit e shkollës sonë sot festuan ditëlindjen e tij, emocionet ishin pjesë në fytyrën e secilit prej nesh duke filluar ta ndjejmë mungesën që sot.
Mësimdhënësit Ramiz Keka ne i urojmë së pari shëndet të mirë dhe më tepër kohë për familjen e tij duke e siguruar se shkolla jonë do të mbetet gjithmonë shtëpia e tij e dytë.