Gjilan

Mustafë Shala na ka lënë vetëm vepra të mira që janë vendosur në themel të Kosovës sonë të lirë

Gjilan – Në mbledhjen komemorative për Mustafë Shalën u tha se ai ishte njeriu më i dashur për Gjilanin, Kosovën, sepse ndihmoi e kontribuoi që liria e Kosovës të vije më shpejt dhe kontribuoi me tërë qenien që shteti i Kosovës të jetë stabil e i qëndrueshëm.
Për meritat dhe vlerat e pamohueshme që kishte Mustafë Shala folën Ahmet Isufi, Lutfi Haziri, Leonora Morina Bunjaku e Irfan Shaqiri. Kurse në emër të familjes Eliza Shala tha se me gjithë dhembjen dhe pikëllimin e madh që kemi, sot në shpirtë e zemër, ndihemi krenar me veprimtarinë e vëllaut, babait e gjyshit tonë. Ai na ka lënë vetëm vepra të mira që janë vendosur në themel të Kosovës sonë të lirë. Krahas pjesëmarrjes në shumë organizime, Mustafë Shala, ishte dorëdhënës sa herë që e kërkoi nevoja u tha në mbledhjen komemorative kushtuar Mustafë Shalës afarist e atdhetar i madh në mbrojtje të Kosovës e çështjes shqiptare.
Duke përkujtuar kohët e vjetra kur Mustafë Shala po mendonte për organizimin e armatosur për ta çliruar Kosovën, Ahmet Isufi bashkëveprimtar tha se Mustafë Shala ka lënë gjurmë e trashëgimi të pasur për vlerat e kombit.
“Mustafa ishte njeri human e i vendosur dhe punonte vazhdimisht që Kosova të bëhej e pavarur derisa ëndërr e kishte bashkimin kombëtar. Mustafa ka përkrahur çdo kategori që ka pasur nevojë e në veçanti veteranët e luftës dhe ata që ia kthyen pushkën Serbisë” tha Isufi.
Kurse Lutfi Haziri ish kryetar i Gjilanit tha se Mustafë Shala ishte vlerë qytetarie e kombëtare për Gjilanin e Kosovën.
“Mustafë Shala do i mungojë Gjilanit, do i mungojë shoqërisë e të gjithë atyre ndaj të cilëve kuleta e tij ishte e hapur. Mustafa kishte virtyte familjare e atdhedashurie dhe asnjëherë nuk ka ditur të thotë “Jo” ose të largohet nga situatat e ndryshme. Ai më zgjodhi mua në shoqëri sepse ishte i tillë dhe i donte gjerenatat e reja dhe i përkrahte të gjithë ata që kishin vlera çlirimtare. 31 gushti i këtij viti do të mbetet peng për një qytet sepse nuk do të jetë i njëjtë pa Mustafë Shalën ndërtuesin dhe kontribuuesin e madh të çështjes kombëtare e shtetit të Kosovës” tha Haziri.
Uji Dea
Edhe, Leonora Morina Bunjaku nënkryetare e komunës e ka vlerësuar lartë kontributin e Mustafë Shalës duke thënë se institucionet komunale kanë obligim që ta nderojnë e respektojnë figurën shumë dimensionale të Mustafë Shalës.
Ndërsa, Irfan Shaqiri me fakte dhe argumente ka folur për tërë aktivitetin dhe veprimtarinë e Mustafë Shalës që nga fillimi i luftës e deri në mbarim të saj duke e përshkruar si një aktivist të pashoq në ndihmën dhe kontributin për të ndërtuar Kosovën e pavarur.
Kurse në emër të familjes është falënderuar Eliza Shala e cila tha:
Të nderuara autoritete komunale,
Miq dhe familjarë të dashur,
Sot, me dhembje dhe pikëllim të thellë po ndahemi nga babai, bashkëshorti, vëllau dhe gjyshi jonë i dashur, Mustafë Shala. Ndarja e hershme nga njeriu ynë i dashur, atdhetari i devotshëm, veterani i Ushtrisë ÇLIRIMTARE të Kosovës, humanisti , afaristi i suksesshëm dhe njeriu i dashur për të gjithë, na ka goditur rëndë..
Kjo është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen Shala, por për tërë komunën e Gjilanit dhe më gjërë. Mustafa ynë i dashur, gjatë gjithë jetës është përpjekur për të mirën dhe lirinë e Kosovës, për zhvillimin dhe përparimin e Gjilanit dhe forcimin e institucioneve komunale e shtetërore.
Mustafë Shala, ka qenë bashkëshort dhe baba i dashur, vëlla e gjysh i afërt me të gjithë familjarët dhe më gjërë. Njëkohësisht ka qenë, mik i afërt me të gjithë. Mustafë Shala si trashëgimtar i dy familjeve atdhetare, i stërgjyshit, Ismajl Poneshi dhe i dajës, Hajrullah Tërpeza, mbi të gjitha e ka pasur lirinë e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Ai thoshte : « Pa liri, nuk na duhet asgjë pasuria. Së pari duhet të çlirohemi nga Serbia, e pastaj të punojmë për zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë !
Të dashur miq, familjarë e pjesëmarrës !
Me gjithë dhembjen dhe pikëllimin e madh që kemi, sot në shpirtë e zemër, ndihemi krenar me veprimtarinë e vëllaut, babait e gjyshit tonë. Ai na ka lënë vetëm vepra të mira që janë vendosur në themel të Kosovës sonë të lirë. Krahas pjesëmarrjes në shumë organizime, Mustafë Shala, ishte dorëdhënës sa herë që e kërkoi nevoja !
Familja Shala, u është mirënjohëse të gjithëve juve që kini ardhur ta ndani dhembjen së bashku me ne këtë ditë të rëndë. Pa pjesëmarrjen tuaj do ta kishim shumë të vështirë !
• Lamtumirë bashkëshort e baba i dashur !
• Lamtumirë vëllau ynë i mirë !
• Lamtumirë gjyshi ynë !
• Do të na mungosh gjithmonë !
• Do të kujtojmë përherë shëmbëlltyrën tënde !
• I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, për të cilën punove tërë jetën !
• L A V D I !

You Might Also Like