LAJME

Në aksionin e madh humanitar janë ndihmuar 240 familje skamnore vitiase

Komuna e Vitisë, ka vazhduar sot traditën e shpërndarjes së ndihmave humanitare për familjet në nevojë në prag të ndërrimit të vitit . Me këtë rast kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me bashkëpunëtorë dhe njerëz të vullnetit të mirë kanë marrë sot pjesë në këtë aksion humanitar që kryesisht është mundësuar nga afaristi vitias Ramadush Emini me familje dhe shoqëri, ku janë ndihmuar 240 familje me pako ushqimore. Ndërkaq shpërndarja e këtyre ndihmave është bërë nga Shoqata Bamirëse Humanitare “ Nënë Tereza”- Viti në krye me Halit Alidemën . Kryetari i Komunë së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka marrë sot pjesë në këtë aksion humanitar, ndër tjerash ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për t’u dalë në ndihmë familjeve në nevojë, dhe atë në prag të festës së Vitit të Ri. “ Në epiqendër të organizimit të këtyre aktiviteteve humanitare gjithmonë është mërgata jonë që janë po ata që kanë kontributin më të madh dhe për këtë ju jemi falënderues. Në këtë rast falënderoj familjen e Ramadush Eminit, shoqatën “Vitia” me Xhavit Islamin dhe të tjerë pa dallime të cilët ndihmojnë familjet në nevojë” u shpreh kryetari Haliti . Ai tha se në veçanti në këtë aksion kontributin kryesor e ka dhënë Emini dhe atë për disa vite radhazi. Ndërkaq nga një fjalë rasti mbajtën edhe afaristi vitias Ramadush Emini nga “Emi Center” si dhe veprimtari vitias në Zvicër Xhavit Islami, të cilët ju uruan gjithashtu gjithë qytetarëve vitin e ri 2025. Përndryshe këto ndihma po ju shpërndahen familjeve skamnore nga të gjitha lokalitetet e kësaj komune dhe atë pa dallime. Aziz Zuka

You Might Also Like