Gjilan, 14 qershor 2022 – Në kuadër të shënimit 23-vjetorit të çlirimit të Gjilanit, është mbajtur program kulturor i Bibliotekës se qytetit me moton “Ballë për Ballë me Poetin, 15 autorë, 15 poezi, 15 lexime”.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi e shpalli të hapur këtë ngjarje, theksoi se Dita e Çlirimit të Gjilanit është festë që i bashkon të gjithë.
“Aktiviteti me moton 15 autorë, 15 poezi e 15 lexime është simbolikë e 15 qershorit, ditës së çlirimit. Kjo është një ditë e veçantë sepse ka sakrifica të mëdha, sepse kemi pasur vuajtje të shumta. Për gjeneratat e reja, për brezat që vijnë është me rëndësi që ta njohim njëri-tjetrin. Ajo që na takon neve si breza të rinj që kemi ardhur pas luftës çlirimtare, është që ta njohim historinë e qytetit, ta njohim atë çfarë kanë bërë ata që e kanë sakrifikuar jetën e tyre për lirinë që ne e gëzojmë sot”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ndërkohë, sonte në ora 20:00, në Teatrin e Qytetit shfaqet monodrama “Cili je…Cili je…”, e autorit, Bedri Selmani.
Kurse, nesër (15 qershor), janë paraparë të mbahen këto aktivitete: seanca solemne e Kuvendit Komunal (salla e teatrit të qytetit, ora 9:00), homazhe te varrezat e dëshmorëve (10:00 – 12:00), turneu i futbollit i veteranëve (stadiumi ndihmës, ora 17:00), koncerti për fëmijë në ora 17:00 te platoja e Teatrit të qytetit, ndezja e flakadanëve te varrezat e dëshmorëve – platoja e qytetit (20:00 – 21:00), për të përfunduar me koncertin festiv në ora 21:00, te platoja e teatrit.