Gjilan

Në mungesë kuorumi, dështon sërish seanca e pestë e Kuvendit Komunal të Gjilanit

Gjilan, 13 qershor 2023 – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mungesë kuorumi, nuk ka munduar ta vazhdojë as sot seancën e pestë, për të katërtën herë radhazi.

Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit, ka thënë se si duket opozita ka vendosur ta vazhdojë bojkotimin e kësaj seance, kështu që për mungesë kuorumi seanca shtyhet për një datë tjetër.

Në seancë kanë marrë pjesë 16 anëtarë të Kuvendit, përfshirë edhe tre nga opozita (AAK, Vatra, LS) si dhe një anëtare e PDK-së, derisa 19 të tjerë nga LDK e PDK kanë munguar.

Siç dihet, para disa ditësh, partneri kryesor qeverisës, LVV i dha fund koalicionit me PDK-në.

Shkas për këtë u bënë tri vendime të mëhershme, që kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në nën zonën e Bllokut “B3” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë”, në zonën e Bllokut “B4” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë” dhe në zonën e Bllokut “I” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, të cilat janë rikthyer në Kuvend për anulim, si të kundërligjshme.

Shfuqizimin e këtyre vendimeve e ka kundërshtuar opozita (LDK), me arsyetimin se nuk ka asnjë arsye për t’i anuluar, ndërkaq partneri i deridjeshëm i koalicionit (PDK) kishte kërkuar më shumë kohë e konsulta për këtë pikë çështje.

Opozita (LDK, Vatra) e kishin lëshuar sallën, ndërkaq asamblistët e PDK-së nuk u kthyen në mbledhje pas pauzës që kishin kërkuar për konsultime.

LDK e PDK (tani opozitë) nuk u paraqitën as sot në vazhdimin e seancës, e cila dështoi për mungesë kuorumi.

You Might Also Like