ARSIMI

Në Universitetin “Kadri Zeka” u mbajtën provimet pranuese

Universiteti “Kadri Zeka”, në Gjilan ka mbajtur sot provimet pranuese për afatin e parë, për vitin akademik 2017-2018, në fakultet për të cilat ka qenë i hapur konkursi, Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Ekonomik, respektivisht programet Banka, Financa dhe Kontabilitet, programin Marketing dhe programin Menaxhment të studimeve themelore – bachelor dhe për programin master E-Qeverisja , program ky i përbashkët në mes tri Fakulteteve- Juridik, Ekonomik dhe Shkenca Kompjuterike, brenda Universitetit “ Kadri Zeka”.

Për të parë nga afër këtë proces, Bajram Kosumi Rektor në Universitetin “Kadri Zeka”, së bashku me Prorektorët, Sekretarin e Përgjithshëm dhe dekanët, kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese, derisa janë shprehur të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ecurisë së testit pranues të studentëve të rinj të cilën dëshirojnë të jenë pjesë e Universitetit tonë. Rektori Bajram Kosumi, të gjithë kandidatëve u uroi suksese në provimin pranues . Ai tha se provimi pranues ka filluar me kohë dhe se procesi i testimit ka shkuar mbarë dhe se nuk ka pasur ndonjë parregullsi.

Të kënaqur me procesin dhe me shpresë që kanë kaluar provimin pranues janë shprehur edhe studentët. Medina Krasniqi dhe Medina Rashiti, të cilat iu nënshtruan provimit pranues në Fakultetin Juridik, shpresojnë që do të pranohen dhe se sipas tyre provimi pranues ka qenë i lehtë.

Edhe Patrik Gegiq nga komuniteti Goran, i cili iu nënshtrua provimit pranues në Fakultetin Ekonomik, programi Banka Financa dhe Kontabilitet, tha se provimi ka qenë i kuptueshëm, ka pasur sqarime të mjaftueshme nga kujdestarët në sallën , derisa shpreson se do të kalojë me sukses dhe do të jetë student i Universitetit “Kadri Zeka”.

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar mbi 700 maturantë, kurse do të regjistrohen 523 studentë të rregullt për studime bachelor ndërsa 39 për studimet master, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.

Shpallja e rezultateve të provimit pranues, do të bëhet deri më 25 korrik 2017.

You Might Also Like