Futboll

Nuhiu: Ekipi po tregon karakter, kërkojmë fokus në gjitha ndeshjet e mbetura

Ardian Nuhiu ka mbetur i kënaqur me karakterin e treguar nga futbollistët e tij, por bëri thirrje për fokus maksimal për ndeshjet e fundit nga konferenca e shtypit.

Tekniku i “kuqebardhëve” teksa ka folur për duelin e radhës kampional ndaj Llapit në vikend, po ashtu ka bërë të ditur se skuadra e tij do të kërkoj maksimumin nga të gjitha ndeshjet.

“Përballë kemi një skuadër me shumë eksperiencë, me futbollistë të cilët e njohin shumë mirë kampionatin. Jemi munduar gjatë javës që të përcjellim informacion te skuadra jonë në lidhje me kundërshtarin dhe personalisht jam i kënaqur me atë se çfarë kanë treguar futbollistët e mi. Ekipi tregoi personalitet duke u rikthyer nga një ndeshje e vështirë në derbi dhe fitoi takimin e fundit. Besojmë se ekipi ynë do të dal në lojën të cilën po e kërkojmë, do të ketë fokusin e duhur për këtë ndeshje nga minuta e parë e lojës. Rrespektojmë kundërshtarin për cilësitë që ka, por gjithmonë duke kërkuar vlerat apo potencialin e skuadrës tonë”.

“Po vjen fundi i kampionatit dhe çdo takim është i rëndësishëm, pasi që çdo skuadër mundohet ti realizojë objektivat e veta. Përballemi me nënkampionët e vendit, një skuadër që është ndërtuar rishtazi dhe kjo dëshmon më së miri potencialin e tyre. Ne duhet të jemi të përqendruar maksimalisht për ta triumfuar një kundërshtar të tillë sikurse Llapi”.

Nuhiu ka përgëzuar futbollistët e tij për faktin që kanë shfaqur profesionalizëm të lartë dhe përkushtim për të arritur objektivin që ka vendosur klubi.

“Falë profesionalizmit të tyre dhe disiplinës së tyre, jemi me fat që gëzojmë komplet skuadrën. Jemi në fazën finale të kampionatit dhe të jesh i kompletuar flet shumë, duke dëshmuar profesionalizmin dhe disiplinën e futbollistëve, po ashtu edhe punën e stafit. Tani kemi nevojë për gjithësecilin futbollistë dhe do të mundohemi të zgjedhim ata që do jenë adekuat për këtë ndeshje”.

“Ne jemi të fokusuar vetëm në ndeshjet tona, e rëndësishme është që të japim dhe të bëjmë maksimumin në ndeshjen e nesërme ndaj Llapit. Nuk është në dorën tonë ndeshjet e tjera, do të marrim ndeshjet një e nga një dhe do të ballafaqohemi edhe me kundërshtarët tanë. Ekipi ka treguar karakter duke u rikthyer nga derbi drejt në fitore. Ekipi tregoi karakter dhe vendosshmëri, duke e kufizuar kundërshtarin dhe duke mos i lejuar që të krijonte raste për shënim. Nëse luajmë në një formë të tillë, atëherë natyrisht që do të kemi gjasa më shumë për të marrë maksimumin nga të gjitha ndeshjet”.

Për këtë duel grupi kërkon mbështetje maksimale, ndaj edhe nga dhomat e zhveshjes po kërkohet ndihma e tifozëve.

“Skuadra ka nevojë të madhe për mbështetje. Ftoj tifozërinë “Skifterat” që të jenë në numër sa më të madh në mbështetje të futbollistëve, pasi që këto ndeshje fitohen edhe me mbështetjen e tifozëve”.

Në fund Nuhiu ka folur edhe për strukturën e ekipit, derisa ka theksuar se për skuadrën e rëndësishme është ta ketë boshtin dhe me disa ardhje të reja të jenë konkurues me të tjerët që janë të ndërtuar rishtazi ndër vite.

“Përqendrimin e kemi te kampionati tani. Gjilanin e vitit të ardhshëm e shoh me një ngritje të secilit nga futbollistët që kemi këtu. Kjo skuadër padyshim që duhet të ruhet dhe patjetër që duhet të freskojmë me dy apo tri elemente të tjera për të garuar dhe konkuruar me skuadra që janë të ndërtuara me vite”.

Ballafaqimi ndërmjet Gjilanit dhe dhe Llapit zhvillohet të dielën me fillim nga ora 15:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.

You Might Also Like