Futboll

Nuhiu: Fitorja e Gjilanit do të vije shumë shpejt

Ardian Nuhiu është shprehur optimist për grupin, pavarësisht që ekipi nuk ka marrë rezultatet e kërkuara në këtë fillim kampionati.

Në konferencën për shtyp para duelit kampional ndaj FC Suharekës, tekniku i kuqebardhëve ka folur për cilësitë e kundërshtarit, por nuk e ka fshehur objektivin që ka me futbollistët e tij për këtë takim.

“Na pret një kundërshtar i fortë, pasi ka një besim të madh duke u nisur nga starti i mirë i kampionatit dhe mbi të gjitha një ekip me ambicje. Kjo flet mjaftueshëm që ne duhet të jemi serioz dhe gjithë fokusin në ndeshje. Kemi përgatitur takimin, sikurse në çdo sfidë tjetër duke analizuar kundërshtarin në të gjitha drejtimet. Kam besim te ekipi që do të shkojmë drejt fitores, kemi treguar mjaftueshëm në tri ndeshjet e para për të ardhur deri te tre pikëshi i parë”, theksoi fillimisht Nuhiu.

“Suhareka është një ekip i ndërtuar për të qenë konkurues me shumë futbollist kualitativ, por besoj shumë te skuadra ime. Kemi bërë paraqitje të mira, pavarësisht që nuk kemi marrë atë kemi synuar. Në ndeshjen e fundit kemi humbur nga gabimet tona, por nëse marrim në përgjithësi tri ndeshjet e para duke kufizuar kundërshtarin në pak raste shënimi, atëherë do të thotë që futbollistët kanë luajtur me përgjegjësi tejet të madhe dhe me seriozitet”, shtoi ndër të tjerash tekniku Nuhiu.

Nuk ka vend për shqetësim, fitorja çështje kohe

Fitorja është imperativ për ekipin që drejtohet nga Nuhiu dhe stafi i tij që besojnë se ky grup i futbollistëve shumë shpejtë do vargojnë rezultatet pozitive.

“Kemi bërë paraqitje të mira dhe kemi besim të madh te grupi. Fitorja është çështje kohe. Skuadra po punon me seriozitetin më të madh dhe ne nuk do të heqim dorë asnjëherë nga idetë tona. Nëse grupi vazhdon me këtë formë, jemi të bindur që do të kthehemi shpejtë te rezultatet pozitive, saktësisht te fitoret”, tha ndër të tjerash Nuhiu.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje te tifozët që të mos ndalojnë së mbështeturi ekipin, pasi që ka nevojë në çdo sfidë të këtij sezoni.

“Jam i kënaqur me grupin se si po punon, thjesht duhet patur durim dhe duhet patur kohë. Nuk ka vend për shqetësim, tifozët duhet bëjnë pak durim sepse ky grup meriton mbështetje dhe le të vijnë në çdo ndeshje për t’i përkrahur, sepse në fund do t’i gëzohemi bashkë sukseseve”, lartësoi Nuhiu.

Shefi i shtabit teknik foli edhe për mundësinë e afrimit të ndonjë futbollisti në orët e fundit të afatit kalimtar.

“E kam potencuar edhe në konferencën e kaluar. Gjithmonë ka vend për futbollist kualitativ dhe nëse gjatë rrugës na ofrohet ndonjë i tillë normalisht që do ta ofrojmë. Po e ritheksoj që jam i kënaqur me grupin që kemi aktualisht”, tha Nuhiu.

Në fund tekniku shkupjan u pyet për përballjen me Shpëtim Duron, trajnerin e Suharekës, me të cilin kishin bashkëpunuar më parë.

“Kam shumë rrespekt për profesor Duron, përveçse kam patur rastin të punoj me të, gjithashtu kam qenë edhe futbollist i tij. Megjithatë, ne nesër do jemi të detyruar të dalim në fushë dhe të japim shpirtin”, përfundoi Nuhiu.

Suhareka dhe Gjilani përballen të dielen me fillim nga ora 16:00 në stadiumin e qytetit në Suharekë.

You Might Also Like