Libri

ORGAZMA LIDERËSH

Muhamet Halili

ORGAZMA LIDERËSH

Edhe sot u zgjua me përtesë, bile ishte ngacmimi i fshikëzës që e detyroi ta kërkonte guacën për ta shfryrë barkun e forcuar nga pija e tepruar, përndryshe do të ishte “ngi” gjumë së paku edhe për një orë.
Ora, shurra, kafja, telefoni, janë katër veprimet e para që e karakterizojnë fillim-mëngjesin e tij, posa t’i hapen sytë, e që iu janë bërë rutinë e zakonshme, për të kaluar nëpër autostradën e kujtesës për t’i gjetur sekuencat e dëshiruara, dhe përjetua momentet më intime nga ndodhitë e natës së kaluar.
Mesazhi paralajmërues nga sekretaria ia përkujtoi konferencën e mesditës, për t’iu bërë demant akuzave në adresë të tij, bërë mbrëmë vonë. Nuk e di pse, por në vend se t’i shkonte mendja te çështja për të cilën duhej të fliste në konferencë, udhëve dredharake të mendjes përfundoi te sekretarja, e cila ia kishte dërguar sms-në.
– Oh, ani se s’kam faj. Loçkë është! – ia tha vetës këto fjalë për ta përkrahur trurin seksist që i rri gati përherë me mendime të nxehta.
Ishte shndërruar në një tip njeriu që lehtë merr zjarr. Mjaftonte një gjë periferike te një femër, t’ia ngacmojë ndjenjën e “etjes” dhe shigjeta e Amorit godet në të, si në një dhjetëshe.
Politika dhe seksi bashkëveprojnë sikurse narkomania e droga, të lidhura njëra me tjetrën, nën “bekimin” – “…në të mirë, e në të keq…!”
Arsyetohej se sekretarja ishte femër që ia prishte trurin! Posa e shihte, si peshku në grep, kapej për flokun e saj, fijedredhë, për të rrëshqitur, imagjinata e tij, ngadalë teposhtës, si kur lëshohesh në tobogan, me qëllim që pas pakëz ta prekësh ujin që të freskon!
Flokët e saja i ndjente si trumzë e freskët, tërheqëse për syrin e kujtdo e le më për një sy kryetari. Sytë e kryetarit janë krejt tjerë, janë krejt ndryshe. Ata nuk mund të krahasohen me sy të rëndomtë. Kanë peshë, janë të zgjedhur andaj edhe shikimi nuk është dosido, por është një shikim prej lideri!
Një çerek ore nuk hynte në zyre duke u kënaqur me komplimentet e saja në fillim të kontaktit ditor.
“Kryetar mirë po të rri kravata. Mirë po dukesh, këmishë e mirë, qenke rrua për merak, mbrëmë ishte…”, derisa ndërpritej nga ndonjë zyrtar “tapet“, që dëshiron të dijë kah do të shkelë këpuca e liderit sot, për ta palosur atypari qafën e tij.
Sinjali paralajmërues i mobilit për një sms tjetër, ia ndërpreu mendimet për të.
– “Bro’ (vëlla), besoj e ke lexua. Për konsum të brendshëm është, ha ha ha…! Ani se sonte unë ndëshkohem, sofra është e imja. Ah, se gati harrova, mos rëndo shumë me demant, urtë e butë… ha, ha ha! Shihmi!” PS: Dreqja e vogël sonte është me ne .
Një “wow!”, – i doli si e vjellë nga goja. Kishte kohë që nuk e kishte parë!
E harroi sekretaren e tij fare! Tani iu kujtua një trup “xixë”, që përherë e mendonte në duar mu siç mbahet kupa e fituar në një ngjarje të rëndësishme sportive, si shembull – Kupa e Botës!
Ta kapësh aty ku është më së holli e ta ngritësh e ulësh shumë herë si shenjë triumfi!
Oh, ani se s’kam faj. Loçkë është! – iu përgjigj sërish mendimeve të tija llavë, për t’ia përkujtuar trurit “të pandreqshëm” se pajtohet përherë me të, në këso konstatime që ia prodhonte.
Arsyetohej se edhe Dreqja ishte femër që ia hiqte krejtësisht trurin! Praninë e saj e ndjente nga larg, për shkak të parfumit karakteristik me aromë të këndshme jasemini.
Eh, dikur…, – belbëzoi ca fjalë, në lidhje me kujtimet blic nga riviera turke, që i erdhën rrëshqitshëm, si pikë djerse e ballit!
Qeshi dhe ia konfirmoi vetit një fakt.
As buzët e gruas nuk i kishte puthur sa prapanicën e saj!
U shtri në karrige lirshëm për ta liruar rrjedhën e mendimeve pa fre!
“Kur të jesh mbi të, është njësojë sikurse, në një ditë të bukur vere, të jesh i shtrirë në një fushë përplot me jaseminë, mbi ato lule të vogla e të bardha që lëshojnë aromë relaksuese. Sidomos nëse e ka pasur një ditë të ngarkuar pune për këtë vend e për këta qytetarë, (shpeshherë mosmirënjohës), ndikon pozitivisht, pasi ka efekt qetësues”…!
Kujtimet nga rrjetet sociale rrodhën tutje dhe ia nxorën tani në pah shoqen e saj, e cila ndonëse ishte me “faj”, që ia kishte prishur paksa punët me “Dreqin e vogël’, fakti që i kishte rregulluar me të, ia kishte nivelizuar kërkesën me ofertë!
– Oh, ani se s’kam faj. Loçkë është edhe kjo! – i tha mendja, teksa ia shikonte fotot në profil, e me këtë sikur ftoi trurin, tani më të eksituar, për t’ia kujtuar vargjet e një belbëzim këngëje që e kishte në qejf sa herë që ishte me të:
– / …Ah, Sykuqe, e bukur trupbollshme/ më je Lule Sativë, tejet e këndshme…!/
Arsyetohej se Sykuqja ishte femër që bashkë me trurin ta digjte edhe shpirtin!
Ishte e gatshme ta ndante shtratin me këdo që lakmonte hiret e saja. Derisa kushdo mund të përvëlohej veçse nga të shikuarit, trupi i saj përvëlohej për një të prekur.
I sillej nëpër kokë akti i plotë, nga bubullimat e para, skëterrë vetëtimash, rrebeshi shiut, e deri te shkarkime rrufesh!
– Shfletimi i mëtutjeshëm nëpër Instagram ia solli në kujtim atë që ai e quante me një emër përkëdhelës, “Geisha!”
– Lëvizjet më të vogla, të buzëve të saja kur bashkëbisedonte, të tundjes së kokës kur këndonte, e të vitheve kur vallëzonte, ishin të mbushura me thellësi artistike të tillë, si të ishte vërtetë një Geisha origjinale.
Mania e saj për t’i kafshuar buzët, sa herë që e kishin njëri-tjetrin përballë, ishte ftesa më e mirë se donte të merrej në krahë, e dërguar në dhomën e gjumit!
– Ah sa vajzë e pacipë! – mjaftonte vetëm kjo fjali t’i dilte zëshëm nga goja e të mos kishte nevojë për më shumë fjalë për t’u nënkuptuar një tregim i plotë, që nuk do të duhej të shkruhej asnjëherë, për të mos e lexuar kush, sidomos ata me hipertension!
“Sms-ja” e radhës njoftonte se shoferi ishte poshtë te porta.
Lideri i kuqur në fytyrë, po vazhdonte t’i numëronte “foletë” e tija të dashurisë.
– Oh, ani bre, se s’ka faj…!!!

You Might Also Like