Pas një fitoreje të madhe një javë më parë ndaj Feronikelit, Gjilani në sfidën vijuese deklasohet 3:0 nga Prishtina në shtëpi.
Trajneri i gjilanasve, Sadat Pajaziti thotë se është e dhimbshme mënyra sesi humbën, teksa paralajmëron ndryshime, raporton Gazetasheshi.com.
“Është e dhimbshme të humbasim në këtë mënyrë pas një fitoreje të madhe ndaj Feronikelit. Është koha për të reflektuar dhe koha e ndryshimeve në të gjitha aspektet”, deklaroi Pajaziti për SuperSport.
“Problemin kryesor e kemi tek pranimi i golave në minutat e para të ndeshjes, gjë e cila na ka ndodhur edhe në disa takime të mëhershme dhe për më tepër kanë qenë gola të evitueshëm. Kemi një skuadër me lojtarë cilësorë, por asesi nuk jemi në elementin tonë të lojës. Është krejtësisht e kundërta nga ajo se çfarë këta djelmosha tregojnë në seancat stërvitore dhe krejtësisht e kundërta nga ajo se çfarë po shfaqin brenda fushës së lojës. Është një sinjal që mua si trajner më gënjen, por mendoj se ka ardhur koha për ndryshime”, përfundoi Sadat Pajaziti.
Pas kësaj humbje, Gjilani mbetet në kuotën e 17 pikëve.