Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj drejtoreshës së inspeksionit znj.Entela Hyseni është dëshmi e fortë se si Alban Hyseni është zhytur thellë në korrupsion dhe krim urbanistik, i fshehur pas rolit të grave udhëheqëse në institucionet komunale.
Ne si PDK disa herë kemi reaguar për kaosin urbanistik dhe ndërtimet pa leje që e kanë vërshuar qytetin e Gjilanit. Pas të gjitha këtyre veprave kriminale qëndron kryetari i Gjilanit, i cili përmes trysnisë dhe presionit e ka bërë të heshtë drejtoreshën e inspeksionit znj.Entela Hyseni ose të dorëhiqet nga pozita e saj.
Pazaret dhe interesat e kryetarit të komunës janë tejet të mëdha, ai është i përfshirë rrastë në korrupsion edhe te ndërtimet pa leje, sikurse të tenderët dhe projektet kapitale në vlera milionëshe.
Për tri vite të tëra kanë vazhduar pa asnjë pengesë të gjitha ato ndërtimet pa leje kudo nëpër qytetin e Gjilanit. Ne, në reagimin e para disa ditëve kemi ngritur shqetësimin tonë si subjekt politik edhe për gjendjen në të cilën ndodhet drejtoresha e inspeksionit, e cila ka zgjedhur rrugën e heshtjes, si pasojë e kërcënimeve dhe shantazheve të vazhdueshme që i janë bërë nga kryetari i Gjilanit.
Fatkeqësisht edhe Prokuroria e Themelore në Gjilan është në lojë bashkë me kryetarin e komunës Alban Hyseni. Ata e kanë zgjedhur të sulmojnë gruan e fundit që mbanë pozitë udhëheqëse por që është e përgjegjshme dhe e pafuqishme, me synimin për ta larguar nga pozita e saj udhëheqëse, përmes një aktakuze e cila është plotësisht e kordinuar. Sepse deri më tani asnjëherë nuk ka vepruar ndaj veprave inkriminuese të kryetarit të komunës në urbanizëm dhe as në kaosin e ndërtimeve pa leje.
Në kushte normale, pas një aktakuze të ngritur duhet të pasojë dorëheqja nga pozita udhëheqëse, të cilën rrugë me qëllim ia ka hapur kryetari i komunës edhe kësaj drejtoreshe të inspeksionit, sepse ka diçka që është skandaloze në këtë sektorë dhe pritet që të publikohet nga zyrtarët e lartë komunal, nëse e marrin guximin t’a demaskojnë këtë kryetar të paskrubulltë që e ka degraduar njërën nga komunat më të mëdha të Kosovës.
Gjendja e jashtëzakonshme në komunën e Gjilanit po vazhdon të rëndohet secilën ditë më shumë, si pasojë e dështimeve në qeverisje, korrupsionit të kryetarit të komunës dhe heshtjes së hetuesisë. Në këtë rast të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Gjilan, përveç kryetarit të komunës është e përfshirë edhe nënkryetarja e komunës për interesa të vëllaut të saj. Që do të thotë se krimi i organizimit në urbanizëm, shërbime publike dhe në inspeksion është shumë i gjerë dhe i thellë. Në anën tjetër hetuesia në Gjilan vazhdon të flejë ose edhe ajo është e përfshirë në interesa të ngushta.
PDK do të vazhdojë rolin e saj si opozitë, përmes ngritjes së shqetësimeve për rastet e tilla, përmes thirrjes publike ndaj organeve përkatëse që të veprojnë në harmoni me ligjet, kompetencat dhe përgjegjësitë që kanë. Përndryshe edhe mosveprimi tyre është përgjegjësi dhe do të kërkohet llogaridhënie para ligjit.