ARSIMI

Përurohet Kopshti i Fëmijëve “Te Fjolla” në një atmosferë festive

Në një ambient festiv dhe plot gjallëri, në praninë e shumë fëmijëve, prindërve dhe qytetarëve, u bë sot përurimi zyrtar i Kopshtit të Fëmijëve “Te Fjolla”, një institucion i ri edukativ që tashmë ka hapur dyert në qytetin e Gjilanit, në lagjen e Bajes, afër zonës së njohur si Dheu i Bardhë.

Ky institucion i ri edukativ është ndërtuar sipas standardeve moderne evropiane, duke ofruar një hapësirë të sigurt dhe të pajisur me lodra bashkëkohore, ku fëmijët patën mundësinë të ndajnë gëzimin me njëri-tjetrin në ditën e hapjes.

Pronarët e këtij kopshti, çifti tashmë i dëshmuar prej 13 vitesh në fushën e edukimit, Kujtim dhe Afërdita Bislimi, theksuan se investimi i tyre ka qenë i madh dhe i menduar me përkushtim të veçantë për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve.

“Jemi të nderuar që më në fund realizuam këtë projekt për fëmijët që do të jenë pjesë e kopshtit tonë. Qëllimi ynë është që ata të ndihen si në shtëpinë e tyre. Asgjë nuk do t’u mungojë – kemi siguruar ambient profesional me 8 edukatore të kualifikuara, kënd lojërash, ushqim cilësor e të pasur në vlera ushqyese, si dhe staf të përgatitur për të mbështetur çdo fëmijë nga mosha foshnjore deri në 6 vjeç”, thanë pronarët në fjalën e tyre përshëndetëse.

Përveç rolit edukativ, hapja e këtij kopshti përbën një kontribut të rëndësishëm për qytetin e Gjilanit, duke lehtësuar qasjen e prindërve në shërbime cilësore parashkollore dhe duke krijuar vende të reja pune për profesionistët e arsimit.

Kopshti “Te Fjolla” synon të ofrojë një përvojë të plotë edukative dhe sociale për fëmijët, duke qenë një shembull i përkushtimit dhe dashurisë për brezin e ri.

You Might Also Like