Futboll

Përzgjedhësi Adil Maliqi: Është koha të dëshmojmë aftësitë tona në skenën ndërkombëtare

Kosova do të ketë nderin të jetë nikoqire e turneut kualifikues për Kampionatin Evropian për grupmoshat U19 për vitin 2025. Ky është një moment historik për futbollin kosovar dhe një mundësi e madhe për të treguar aftësitë organizative dhe mikpritjen e shtetit tonë.

Për raundin e parë kualifikues, ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe “Zahir Pajaziti” në Podujevë, dy nga stadiumet më të njohura dhe më të rëndësishme në vend.

Dardanët janë pjesë e grupit të 10-të, ku do të ballafaqohen me disa prej skuadrave më të forta: Spanjën, Austrinë dhe Ishujt Faroe.

Ndeshjet do të zhvillohen më 13, 16 dhe 19 nëntor, duke sjellë emocione të veçanta për të gjithë dashamirët e futbollit në Kosovë.

Përzgjedhësi i Kombëtares U19, Adil Maliqi, është shprehur i lumtur dhe krenar për këtë arritje të Kosovës.
“Është nder i veçantë për shtetin e Kosovës dhe Federatën tonë të futbollit që të jetë nikoqire e një kompeticioni siç është Kampionati Evropian. Kjo është një mundësi e artë për të dëshmuar se dimë dhe mundemi së bashku të realizojmë një organizim të shkëlqyer. Ne kemi përvojë dhe pasion të madh për futbollin, dhe jemi të gatshëm të tregojmë më të mirën tonë.”

Aspiratat e Kombëtares së Kosovës U19 për këtë turne janë të mëdha, sipas Përzgjedhësit Maliqi.
“Ne kemi filluar të përgatitemi për këto kualifikime prej një kohe të gjatë. Kemi zhvilluar dy ndeshje miqësore me Shqipërinë, në të cilat kemi treguar formë të mirë. Në ndeshjen e parë kemi humbur me rezultat 2:0, ndërsa në të dytën kemi triumfuar me rezultat 5:2. Në skuadër kemi një grup të talentuar të futbollistëve që janë të etur për të dëshmuar aftësitë e tyre në këtë turne kualifikues. Nuk kemi frikë nga askush; përkundrazi, do të tregojmë lojëra të mira dhe do të luftojmë për fitore, pasi jemi në vendin tonë dhe dëshirojmë t’i gëzojmë të gjithë me arritjet tona.”

Maliqi gjithashtu theksoi rëndësinë e përgatitjeve të mirëfillta dhe të disiplinës në skuadër.
“Përgatitjet tona kanë përfshirë trajnim intensiv, analizë të kundërshtarëve dhe zhvillim të strategjive të ndryshme. Ne jemi të bindur se mund të konkurrojmë në nivel të lartë dhe të arrijmë rezultate të mira. Kjo është një mundësi për të rinjtë tanë të tregojnë veten dhe të fitojnë përvojë të vlefshme ndërkombëtare.”

Turneu final i Kampionatit Evropian 2025 do të zhvillohet në Rumani, dhe aspiratat e Kosovës janë të qarta: të arrijnë deri në fazën finale dhe të tregojnë vlerat dhe talentin e futbollit kosovar në skenën evropiane.
“Kjo është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por me përkushtim, punë të palodhshme dhe mbështetje nga tifozët tanë, ne besojmë se mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme,” përfundoi Maliqi.

Ky event është një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për futbollin, por edhe për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Duke qenë nikoqire e një kompeticioni të tillë të rëndësishëm, Kosova ka mundësinë të tregojë kulturën, mikpritjen dhe pasionin e saj për sportin.

You Might Also Like