Sportet me dorë

Riaktivizohet ekipi i meshkujve të KV Drita

Dikur, në ish-Jugosllavi, volejbolli gjilanas ishte në zë, ishte kjo kohë kur KV Taftison garonte në ligat më të larta të ish-shtetit. Më pas, me mëvetsimin e sportit kosovar, KV Drita suksesshëm garonte në elitën e volejbollit kosovar, duke qenë organizatore e shpeshtë e garave e pak para luftës dhe pas luftës fitoi të gjithë titujt e mundshëm, për të marrë tatpjetën në liri, kur klubi në mungesë të organizimit u shua tërësisht dhe disa vite me radhë nuk garoi fare.

U desh që disa të rinj, të marrin nismën dhe klubi po riaktivizohet, me qëllim që të kthehet në majat e volejbollit kosovar, atje ku ishte dikur.

Tash kryesia e re dhe lojtarët e rinj kanë nisur përgatitjet. Ishin Liridon Krasniqi, Lindor Bunjaku dhe Fatlum Hajrizi ata që morën nismën për të riaktivizuar klubin, kurse u bë edhe kryesia e re, Lindor Bunjaku, kryetar, Fatlum Hajrizi, sekretar dhe Liridon Krasniqi, arkëtar.

Klubi ka zgjedhur për trajner Liridon Krasniqin dhe ndihmësit fatlum Hajrizi e Lindor Bunjaku, kurse që në nismë tash janë 13 lojtarë, disa prej tyre me përvojë që kanë luajtur në ekipe të ndryshme në Kosovë edhe në ekipe kampioni.

Siç thekson Liridon Krasniqi, të gjithë lojtarët janë kthyer në mënyrë vullnetare dhe po punojnë në mënyrë vullnetare, pa asnjë cent, kurse edhe klubi është në vështirësi financiare, por vullneti është shumë i madh, andaj të gjithë besojnë se suksesi nuk do të mungojë.

 

 

 

You Might Also Like