Këtë të enjte, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, në kuadër të Klubit të Karrierës që vepron në këtë shkollë, është mbajtur një sesion informues, në të cili para më shumë se 60 nxënësve në cilësinë e folësit mysafir (guest speaker) ka ligjëruar Ridvan Aliu, themelues i Future Minds Academy, i shoqëruar nga zyrtari i lartë në këtë akademi, Patrik Shehu.
Fillimisht, Ridvan Aliu, duke folur për rëndësinë e orientimit në karrierë, ai është shërbyer me shembullin e tij personal, kur në moshë të re, para luftës në Kosovë, në kushte tejet të rënda kishte lënë atdheun dhe ishte zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shpresa të mëdha që atje të zhvillojë karrierën e tij dhe me punë e angazhim ia kishte dalë që të jetë pjesë e kompanive më të mëdha amerikane, përfshirë aty Kompaninë amerikane Coca Cola, Microsoft, Amazon e kompani të tjera të mëdha që veprojnë matanë Atlantikut për të cilat kishte krijuar programe te ndryshme.
Pas qëndrimit 25- vjeçar në SHBA, Ridvan Aliu, ka vendosur që të kthehet në atdhe dhe të themelojë Future Minds Academy, nga gjiri i së cilës kanë dalë qindra të rinj, që kanë bërë emër në fushën e kompjuterëve dhe tashti punojnë në kompani të mëdha që gjerojnë miliona dollarë. Tërë përvojën e marrur në SHBA ai e ka shkrirë për gjeneratat e reja në Kosovë.
Duke përdorur shembuj konkretë gjatë tërë kohës, Aliu ua ka bërë me dije nxënësve se kah duhet të orientohen në karrierë, cila është e ardhmja e profesioneve që ata do të zgjidhen, mundësinë e shkollimit e të punësimit dhe gjithnjë duke i udhëzuar të rinjtë që të mësojnë e të punojnë sa më shumë, ngase e ardhmja është e tyre.
Nxënësit që me interesim të madh kanë përcjellë këtë ligjëratë të ligjëruesit Ridvan Aliu kanë parashtruar pyetje të pafundme, duke shfaqur interesim të madh për orientimin e tyre në karrierë.
Nxënësit dhe kolektivi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” kanë falënderuar mysafirët nga Future Minds Academy, të cilët vetëm nga kjo shkollë kanë ndarë 13 bursa njëvjeçare, derisa në nivel të komunës kanë ndarë mbi 100 bursa për nxënësit filloristë dhe ata të shkollave të mesme.