Libri

… SE DASHURITË HARROHEN

Sadete Tërnava OSMANI

… SE DASHURITË HARROHEN

( tri poezi )

SONTE

Në dhomën e plasaritur hyra
Si shpirt i gjallë
Pashë çarçafin e verdhë
Preka kujtimin tonë
Ca fije flokësh
Dhe ëndjen e dimrit te nxehtë

Një tingull refren përvidhet si unë
Me hapin pa këpucë në çilimin e grisur
Te cepi i saksisë se mbështetur në xham
Pa lulen tonë, veç me dheun e tharë
Dhe perden e tymosur

Hapi ma kërkon kujtimin e atëhertë
Të aromës zambak
Frikë e cëmbim bashkë
Dridhet dora
Purtekë
Tek kërkon pak afsh rrēzë derës

Pas, në skutën e dritës së zbehtë
E lashë ledhatimin ikonë
Kujtim, ofshamë, buzëdridhje
Lule mimoze fafuritje ne ajr

Ika si në faj
E mora hapin me krrokamën e derës
Ngadalë e lehtë
Lamtumirën ia përshpërita
Si në faj gruaje
Tek vodha copëzën
Aromë kujtimi
Luleje zambak

THUAJ S’THASHË

Fjala jote “Thuaj s’thashë”
Në këtë botë pa definicion
Më ka mbetur kallëzues
I të pakuptueshmes, ireales
Për rëndomtësinë
Morfim nga stralli i magjisë tënde
Kur thoshe: më fal të lutem
Secili ka diçka të mirë
Fali zot
Unë i kam falur

Sa shumë jam munduar
Sfilitur aq herë
Qetësinë të ta lexoj
Bukurinë e fjalëve
Sedef
Krejt mëndafsh
Plot dashuri
Edhe në gabime kur i rrije gati
Si në rapsodi tingujsh
Fjalës së përshpirtshme: thuaj s’thashë

Tani mallin mik ua ke bërë
Edhe lisave në parkun përbri
Në shpirtin tim zgjuar fle
Me vështrimin e përtejmë
Falje kur kërkoje
Falenderime
Lutje
Dritësime
Sagë alegorish të zorshme
Për të thjeshtit
Të rëndomtit
Të shpeshtit

SOT

Zjarri promethean
Na e përndritë të vërtetën
Trinomin tënd magnum opus
Atdhe-dije-liri
Dhuratë grafisë humane
Nga ama mesjetë
Udhëtim me kujtim
Letrash
Kafesh të panumërta
Tym duhani
Psherëtimën e fundit: fali Zot
Unë i kam falur
Kur shkove
Nuk ike
Mbete këtu
Thellësive
Barkë e plandosur
Ne lumin pa ujë

Tani s’beson që çdo ditë
Tek luhatem nëpër vjetët e shumtë
Pyes a më ke lëne ndonjë kujtim
Ç’histori sërish ke nisur
Fafurimë puhize
Mos kurora po thurë

Rri këtu
Të lutja
Ta kujtoja se dashuritē harrohen
Bien në përqafime të njoma
Plaken duke genjyer
Rrugëve pa dritë
Prehërve të plakur

Luhatem kujtimeve
Në karriken e vjetëruar
Tek më mban të lëvarur
Mua
Ty
Lotët dhe kujtimin e humbur

You Might Also Like