OPINION

Servilizmi i deputetëve nga Anamorava

Selver Xhelili
Është një fakt i pamohueshëm dhe tepër shqetësues për statusin e deputetëve të Anamoravës, të cilët rreth 70 për qind e tyre, janë servilë ndaj liderëve të tyre. Ata, mjerisht, janë vegla të shefave të tyre, për shkak bagazhit të dyshimtë politik dhe frikës permanente të veprimeve sekrete, duke u bërë qengja të butë, pasivë dhe të heshtur si pula të lagura.
Kjo sjellje e tyre mjerane karshi legjislativit dhe votës së qytetarit, ka bërë që Kuvendi, organi me i lartë në shkallë republike, të jetë jostabil, joefikas dhe jopërgjegjës për kërkesat e shumta të qytetarisë së Anamoravës.
Nuk është aspak e drejtë, e ndershme dhe qytetëruese, që Anamorava një hambar i votave elektorale të partive, të trajtohet kësisoi, nga legjislativi shtetëror, duke lënë të anashkaluar veprimtarët politikë të kësaj ane nga komisionet, trupat punues të Kuvendit, ndarja e buxhetit dhe resurseve të tjera, të cilat e kanë e sjellë këtë pjesë të republikës përballë një kolapsi ekonomik dhe para nja ngërçi politik.
Duke i patur parasysh këto dukuri negative, është momenti i fundit i sinjalizimit të këmbanës, që të alarmojë deputetët e Anamoravës ta ngritin zërin e arsyes, të shfaqin guxim dhe intelektualizëm për t’i ndryshuar gjërat sa nuk është bërë vonë.
Anamorava jonë e dashur dhe krenare, ka nevojë për deputetë gardianë, të vendosur e këmbëngulës në tavolinat e vendimmarrjes, e jo për deputetë servilë, frikacakë, pa dinjitet e qyqarë, të cilët për shkak origjinës së tyre të dyshimtë partiake, janë bërë hendikep i përfaqësimit të dobët.
Meqenëse vota është çelësi i ndryshimeve, reformave dhe përparimeve, deputetët e Anamoravës, duhet t’i dalin zot asaj dhe të bëhen zëri kumbues, për ta luftuar servilizmin, nepotizmin dhe korrupsionin, kancerin e shoqërisë politike shqiptare të kësaj pjese të Republikës sonë martire.
nëntor 2023

You Might Also Like