Gjilan, 24 prill 2020 – Komiteti Emergjent i Gjilanit, nën udhëheqjen e nënkryetarit Arbër Ismajli, ka zhvilluar takim informues me kryesuesen e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini dhe shefat e grupeve të këshilltarëve, Avdyl Aliu (LDK), Riza Abdyli (PDK), Shemsedin Ramushi (AKR), Ibish Ibishi (I pavarur) dhe Emrah Ismail (KDTP).
Nënkryetari Arbër Ismajli ka vlerësuar se ishte një takim miqësor e informues, duke falënderuar të gjitha subjektet politike për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Komitetit Emergjent të Gjilanit.
“Përpos informatave që ua dhamë, u dakorduam që të jemi bashkë deri në tejkalimin e kësaj situate të pandemisë Covid-19”, tha Ismajli.
Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini, ka falënderuar Komitetin përkatës për koordinimin dhe informimin e mirë për ta preventuar situatën kundër Covid-19.
Ndërkohë, gjatë adresimit para mediave, shefat e grupeve politike të përfaqësuar në Kuvend, kanë shprehur falënderim dhe
përgëzim per Komitetin për menaxhimin e situatës së pandemisë dhe në menaxhimin e rasteve të familjeve në nevojë.
Ndryshe, tash e katër ditë nuk është asnjë rast pozitiv në Gjilan me virusin corona.