Gjilan

I tërë fshati nuk e ka asnjë të punësuar

Që nga vitet shtatëdhjeta në fshatin tonë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim, shumica e shtëpive janë vjetruar, nuk është investuar në infrastrukturë dhe fshati i ynë gati është harruar tërësisht”, thotë Vehid Ibrahimi, udhëheqës i fshatit.

 Dikur e kishin problem sigurinë, problem e kishin edhe mbajtjen e banorëve në fshat, ngase shumë prej tyre ia mësyn qytetit dhe kërkimin e jetës më të mirë, por tashti, kur më nuk provokohen nga xhandarmëria serbe e familjet që mbeten nuk kanë kah t’ia mbajnë, në fshatrat e bezit kufitar jeta është bërë e vështirë.

Në Muçibabë, fshat që shtrihet skaj kufirit me Serbinë, vazhdojnë të jetojnë 16 familje me 113 banorë e siç thekson Vehid Ibrahimi, udhëheqës i fshatit asnjëri prej këtyre banorëve nuk është i punësuar.

“Jetojmë në kushte të vështira, papunësia ka mbërri kulmin, ngase asnjë anëtarë i fshatit nuk është i punësuar. Pesë familje janë pa shtëpi të veta, jetojnë nëpër shtëpi të vjetra e të boshatisura, pa dritare, e pa dyer”, thotë Vehid Ibrahimi, që shton se banorët po jetojnë gjatë dimrit duke shitur ndonjë metër dru me kuaj e gomarë.

Ai thotë se po përpiqen që t’i ndalin këto familje që të mos largohen, andaj atyre së paku do të duhej ndërtuar ndonjë shtëpi të vogël, gjë të cilën nuk mund t’a bëjnë vetë, ngase jetojnë në gjendje të vështirë. Ai thotë se së paku dikush nga fshati do të mund të punësohej, ngase siç shprehet Ibrahimi edhe prej këtu kanë dalë nxënës të mirë. Shkaku i kushteve të vështira, dy studentë të mirë që i kishte fshati, njëri student i bujqësisë e tjetri i mjekësisë e që ishin studentë në Prishtinë, i ndërprenë studimet, ndërsa tashti i tërë fshati e ka vetëm një student të Gjilan, i cili po vazhdon studimet në ekonomi.

Ibrahimi, thotë se përpos gjatë stinës së dimrit, me vështirësi po jetojnë edhe gjatë verës, ngase siç thotë ai, toka e fshatit është e vështirë për t’u punuar, parcelat janë të vogla e më shumë mbillet misër, por i cili duhet të ruhet nga derrat e egër, të cilët dinë shpesh t’i dëmtojnë të mbjellat. Ai thotë se secila familje mbanë bagëti, por një e dy lopë, apo ndonjë dhi, por nuk i shtojnë ato, ngase pos t’i bëjnë tri a më tepër menjëherë e shesin ndonjë prej tyre, ngase disi duhet mbajtur familjen.

“Që nga vitet shtatëdhjeta në fshatin tonë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim, shumica e shtëpive janë vjetruar, nuk është investuar në infrastrukturë dhe fshati i ynë gati është harruar tërësisht”, thotë Vehid Ibrahimi, që mbanë shpresa se pushteti i ri në Gjilan do ta nxjerrë këtë fshat nga harresa.

You Might Also Like