Libri

U përurua romani “Lëkura e Gurit” i autorit të mirënjohur Mehmetali Rexhepi

“Vjeshta Letrare e Gjilanit”, manifestim letrar që i kushtohet librit, ka vazhduar rrugëtimin e saj me promovimin e librit “Lëkura e Gurit” të autorit të mirënjohur gjilanas Mehmetali Rexhepi, shkruan kryelajmi.com

Sabit Rrustemi, organizator i kësaj ngjarje kulturore, ka theksuar se ky është edicioni i 15-të, i cili tubon krijuesë nga të gjitha trevat shqiptare, duke sfiduar kufijtë e që afirmon librin dhe krijuesin dhe që i bënë bashkë me lexuesit, mision të cilin po e vazhdon edhe më tej. Rrustemi e ka cilësuar Mehmetali Rexhepin krijues të zellshëm, që ka nisur të krijojë kaherë. Ky libër më i ri i tij e begaton letërsinë tonë.

Ramadan Mehmeti, në emër të editorit, Shtëpisë Botuese “Rozafa”, ka thënë se në rrethana të ndryshme politike e shoqërore, shkrimtari Mehmetali Rexhepi mbeti po ai, i urtë, i qetë, i dashur dhe mbi të gjitha një shkrimtar që nxjerrë vepra me vlerë e një ndër to është edhe romani më i ri i tij “Lëkura e Gurit”. Mehmeti, tha se Rexhepi në romanin e tij ofron kënaqësinë estetike, andaj SHB “Rozafa” duke ditur vlerat e Rexhepit me kënaqësi ka botuar romanin e tij.

Vlerësimin për romanin e Mehmetali Rexhepi e ka dhënë edhe redaktori i këtij libri, Prend Buzhala, i cili këtë roman e ka cilësuar si roman të perspektivave të shumëfishta narrative. Sipas Buzhalës, ky roman është ndërtuar nga pjesë të ndryshme, të cilat kur bashkohen japin një imazh të plotë dhe ky rrëfim trajtohet nga personazhe të ndryshëm, kurse ngjarjet në të nuk zhvillohen në mënyrë kronologjike, por janë të vendosura në mënyrë jolineare dhe si rezultat kemi një vepër shumëdimensionale që paraqet kompleksitvitetin e realitetit shqiptar.

Xheladin Mjeku, duke folur për romanin “Lëkura e Gurit”, të M. Rexhepit, ka theksuar se ky roman prek kujtesën historike dhe ndërthurjen e ngjarjeve deri në ditët e sotme. Në këtë roman autori i romanit Mehmetali Rexhepi, ruan frymën moderne të narracionit, që e karakterizon këtë autor dhe me këtë roman ai ka pasuruar letërsinë shqipe.

Arsim Halili, krijues e kritik letrar në vështrimin e tij “Zhvillimet e të së kaluarës përmes një vepre letrare”, ka spikatur se autori në veprën e tij ka unitet të brendshëm, sepse përdor teknikë shkrimi të ligjërimit modern. Ai në këtë roman shpërfaq të bëma, të cilat ishin në dëm të shqiptarëve nga ish-sistemi e të cilin edhe vetë shkrimtari e përjetoi dhe e pagoi, sepse nuk pranoi të jetojë në atë realitet të gënjeshtërt. Ngjarja ndërtohet në baza reale, ai ndërfut në të disa momente, elementë filozofikë, ka organizim funksional, ai zgjodhi një kohë të veprimit të të kaluarës së afërt e krejt kjo si tërësi e bënë një roman të arritur për çka duhet përgëzuar autorin.

Hajdar Dumoshi Paqarada, ka theksuar të gjithë kapitujt e romanit “Lëkura Gurit” të Mehmetali Rexhepit, janë të mbarështruar mirë, ai i ka bërë një analizë personazheve të këtij romani dhe tha se në roman ka prozë të thurur në sekuenca e Mehmetali Rexhepi në këtë roman ruan identitetin e vet të krijuesit.

Autori i romanit Mehmetali Rexhepi, nuk ka lënë pa falënderuar pjesëmarrësit, mysafirët nga Prishtinë, pjesëmarrës ish-të burgosur politikë, referuesit dhe veçmas lexuesin dhe lexuesit e veçantë, por edhe familjen dhe ka theksuar se Gjilani ka traditë përurimesh e kulturë dëgjimi. Ai ka paraqitur një trajtesë të shkurtër, duke thënë se autorit nuk i përket të shpjegojë krijesën e tij shkrimore, ngase ai është shkrirë aty mes rreshtash, frazash e periudhash dhe se krijesa e tillë nëse arrin të rrumbullakojë bindshëm qëllimin e parashtruar i jep kënaqësi estetike në radhë të parë vetvetes e më pas edhe lexueseve dhe vepra bëhet bashkëpronare shpirtërore edhe e lexueseve.

Këtë festë të librit mjeshtërisht e ka udhëhequr profesori Tahir Arifi e “Vjeshta Letrare e Gjilanit” do të vazhdojë edhe me përurime të tjera. /kryelajmi.com/.

 

You Might Also Like