ARSIMI

Universiteti “Kadri Zeka” urë lidhëse mes bizneseve kosovare dhe tregut ndërkombëtar

Si rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit që Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka me Universitetin e Mariborit në Slloveni dhe me Shoqatën e verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, tani disa prodhues të verërave në Kosovë do të marrin pjesë në garat e 10-ta ndërkombëtare që do të mbahen më 16 shtator 2017, në Maribor të Sllovenisë.

Këto marrëveshje janë mundësi e mirë që edhe verëtarët e Kosovës të mund të marrin pjesë në garën ndërkombëtare të verarisë, ngjarje kjo mjaft e rëndësishme, e sidomos duke i dhënë mundësinë verëtarëve të Kosovës të plasojnë verërat e tyre në tregun e Unionit Evropian, e posaçërisht kur Kroacia po pengon pasimin e verës Kosovare në këtë vend.

Garat e 10-ta ndërkombëtare të verërave do të organizohen nga Universiteti i Mariborit dhe Universiteti “Kadri Zeka”, në të cilën do të marrin pjesë gjithashtu mbi 10 vende të Unionit Evropian, të cilat do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këtë garë.

Poashtu këto bashkëpunime do të shtrihen edhe në fusha të tjera si: organizimi i tryezave debatuese, organizimi i konferencave, si dhe bashkëpunime të tjera të cilat mund të ndërlidhen me tema që janë me interes të përbashkët për të dyja palët.

Universiteti “Kadri Zeka” çdo ditë e më shumë po krijon mundësi të reja për studentët, profesorët, por gjithashtu edhe për bizneset kosovare që tregun e punës ta zgjerojnë në nivel ndërkombëtar.

You Might Also Like