Gjilan

Apelon Lutfi Haziri: Duhet të kemi kujdes maksimal sepse COVID-19 nuk është larguar

Apelon Lutfi Haziri: Duhet të kemi kujdes maksimal sepse COVID-19 nuk është larguar

Gjilan, 19 prill 2021 – Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes me COVID-19, në takimin e mbajtur sot të kryesuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vlerësuar gjendjen e përgjithshme të përballjes me pandeminë Covid-19 dhe procesin e vaksinimit.

Kryetari Haziri ka kërkuar respektimin e rekomandimeve të IKSHPK dhe në bazë të vlerësimeve të fundit del se prej 19534 mostra të marra deri më tani, 668 qytetarë janë aktualisht pozitiv.

“Edhe pas vlerësimeve të fundit që sot kemi bërë të përballjes me pandeminë dhe procesin e vaksinimit del se me gjendje më të rëndë janë 80 qytetarë të shtruar në Spitalin Regjional, por kronika e zezë është vështirësia më e madhe që e kemi në këtë rrugë të vështirë, kur nga jeta ndahen qytetarët tanë dhe numri i tyre, deri më tani është gjithsej 131 të vdekur. Solidarizohemi me të gjitha familjet që kanë humbur jetën. Edhe Komiteti i Emergjencave në Gjilan ka humbur një anëtar të vetin, Ymer Demollin, i angazhuar 24 orë dhe 7 ditë për të parandaluar Covid-in, por fatëkeqësisht ai nuk është më në mesin tonë”, ka thënë Haziri, në konferencën për media të së hënës.

Ai ka apeluar që qytetarët e Gjilanit të kenë një kujdes dhe përkushtim të madh në ruajtje të distancës sociale, higjienës personale, pasi, siç tha, nuk është larguar virusi.

“Vaksinimi nuk nënkupton që familja apo personi shpëton nga infeksioni, por duhet vazhdimisht të jemi të kujdesshëm karshi respektimit të masave të reja të cilat janë më të liruara dhe shpresojmë që kujdesi edhe më tutje të jetë në nivelin më të lartë”, ka shtuar Haziri.

Mesazhe për kujdes nga COVID-19 ka dhënë edhe dr. Arbenita Hajdari, drejtoreshë e QKMF’së, dr. Ajhane Sefiu, drejtoreshë e QRSHP dhe dr. Ukshin Ismajli, drejtor i Spitalit Regjional, derisa kanë konfirmuar se angazhimi i stafit mjeksor është ne nivelin më të lartë të mundshëm.

Në këtë konferencë u konfirmua se deri më tani 836 vaksina janë dhënë për stafin mjekësor dhe të moshuarit mbi 80 vjet.

Ndryshe, pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 19534 mostra, 6068 kanë rezultuar pozitivë, 5279 janë shëruar, 131 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 668 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 79 persona dhe 52 mostra në pritje për  rezultat.

You Might Also Like