Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore merr në Mbrojtje të Përhershme dy objekte Kulturore të Gjilanit e ato janë Atik Xhamia në Gjilan dhe ish- Shkolla e Muzikës së Gjilanit.
Sipas Artan Hoxhës, drejtor në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan ka bërë një punë të rëndësishme në fushën e trashëgimisë gjatë vitit 2022. Ka përplotësuar të dhënat e kërkuara duke përgatitur 12 dosje për Mbrojtje të Përhershme, ku 10 prej tyre janë nga Rajoni i Gjilanit dhe 2 nga Rajoni i Ferizajt:
- Atik Xhamia – Gjilan
- Shkolla e muzikës në Gjilan (ish-saraji i Mustafë Pashës) – Gjilan
- Shtëpia e Zekirja Abdullahut – Gjilan
- Shtëpia e Muhamer Shabanit – Perlepnicë
- Objekti i ish depos ushtarake turke – Gjilan
- Objekti i Kajmekamllakut – Gjilan
- Kisha e Shën Anës në Dunav – Gjilan
- Shtëpia e Haxhi Ahmetit – Viti
- Teqja e Sheh Zenel Abedinit – Kamenice
- Kisha e Shndërrimit në Pasjan
- Xhamia e Sinan Pashës – Kaçanik
- Kompleksi Kisha dhe Xhamia – Ferizaj
Qendra jonë ka përgatitur dosjet e objekteve kulturore sipas kritereve të formularit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi. E rëndësishme është konsideruar edhe përgatitja e perimetrit të zonës së mbrojtjes të këtyre aseteve të propozuara, thotë Hoxha.
Dosjet e tilla, më pas janë dorëzuar në Komisionin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Përhershme. Dhe pas shqyrtimit të materialit të dorëzuar është konstatuar se dokumentacioni plotëson kriteret e përcaktuara dhe të njëjtat dosje i janë dorëzuar MKRS-së dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Pas shqyrtimit të dosjeve, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka vendosur që gjatë vitit 2022 të marrë në MP dy asete nga Rajoni i Gjilanit: Atik Xhaminë dhe Shkollën e Muzikës, sot objekti i Muzeut etnologjik.
“Pritet që gjatë vitit 2023 që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore të marrë në mbrojtje asetet tjera të propozuara nga Qendra jonë”, ka thënë Artan Hoxha, drejtor në QRTK – Gjilan./kryelajmi.com/