Shpëtim Duro e ka nisur mirë aventurën e tij te Drita, derisa ka debutuar me fitore qysh në ndeshjen e parë kampionale.
Tekniku 58 vjeçar nga Tirana triumfoi përballë homologut të tij Mirel Josa që drejton Prishtinën dhe për këtë arsye nuk ka se si mos të jetë i kënaqur me fitore, por e pranon që skuadra e tij kishte presion psikologjik para ndeshjes, transmeton Gazetasheshi.com.
“Situata në skuadër ishte kritike. Ekipi kishte katër ndeshje pa fituar dhe gjendja psikologjike nuk ishte shumë e mirë. U futëm ndoshta me pak ngarkesë në këtë lojë, me ç’rast në shumë momente u prodhuan situata tensioni. Kam kërkuar nga futbollistët e mi që të luajnë një ndeshje të kujdesshme pasi që Prishtina ka një skuadër me individë shumë cilësorë. E kemi pritur kundërshtarin dhe e kemi dënuar pasi që kemi cilësi për ta bërë një gjë të tillë. Ideja ishte që të sulmonim me kujdes dhe në momente të caktuar dhe për këtë dua ti përgëzoj lojtarët”, u shpreh Duro për “Super Sport Sport Kosova”.
Në javën e ardhshme Drita takohet me rivalin lokal Gjilani, derisa për këtë ndeshje Duro shton: “Çdo ndeshje a ka rëndësinë e vet. E kam ndjekur derbin edhe më parë dhe mendoj se do jetë një rivalitet i shëndoshë pasi që luajnë dy skuadrat e një qyteti. Njëherë duhet ta shijojmë këtë fitore ndaj Prishtinës dhe gjatë javës të punojmë për derbin ndaj Gjilanit”.