Në Kupën e Botës për boks, e cila po mbahet në Budva të Malit të Zi, boksieri nga Gjilani, Endrit Jerliu, ka shkëlqyer në kategorinë deri në 75 kg, duke arritur një fitore të rëndësishme. Ai mposhti boksierin turk, Akyuz Cahit Emin, duke e detyruar të dorëzohet në fillim të raundit të tretë.
Selektori i Kombëtares së Kosovës për boks U18, Nazim Halili, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e Jerliut, duke e vlerësuar atë si një talent të jashtëzakonshëm.
“Endriti edhe njëherë dëshmoi se është një talent i madh i boksit. Ai sonte ka shkëlqyer, duke mos i dhënë asnjë mundësi kundërshtarit,” theksoi Halili pas fitores.
Pas duelit, vetë boksieri Jerliu u shpreh i lumtur për suksesin e tij dhe për përgatitjet e bëra në dy muajt e fundit nën udhëheqjen e trajnerit Halili.
“Jam shumë i lumtur për këtë fitore. Me trajnerin Nazim Halili jam përgatitur tash e dy muaj për këtë sfidë të Kupës së Botës. Është një konkurrencë shumë e fortë, ku marrin pjesë 21 shtete dhe 221 boksierë,” deklaroi Jerliu.
Në duelin e tij të radhës, Jerliu do të përballet pasnesër me boksierin Siniak Ivan nga Bjellorusia, ku synon të vazhdojë serinë e fitoreve dhe të ecë përpara në këtë turne prestigjioz.