Shkruan: Magbule Xhemaili
Ngjyra, emocione, ndjenja, energji dhe penelata që dalin nga shpirti duke përjetësuar peizazhe vjeshte, kompozime dinamike me dominim të shprehjes ekspresive abstrakte të cilat vijnë natyrshëm si një harmoni specifike ngjyrash të vjeshtës, pastaj arti ilustrativ herë, herë duke ndërlidhur tradicionalen me modernën për të vazhduar me momente e histori të fiksuara mureve të shtëpive të mjedisit të tonë urban.
Tablotë e ekspozuara përfshijnë mediumet: vizatim, pikturë, grafikë duke mos anashkaluar modelimin e portretit në argjilë të realizuar pastaj në bronz, latimin në gur, deri tek skulptura moderne e realizuar në metal.
Artistët figurativë siç janë të veçantë në planin tematik, të tillë janë edhe në rrafshin shprehimor, që fillon me figuracionin, e shtrihet deri te arti abstrakt. Midis figuracionit dhe abstrakcionit janë të pranishme edhe artikulimet ekspresive simbolike, si dhe shprehjet tjera, që lidhen me artin strukturalist.
Metaforat e artit në përgjithësi, ajo e artit figurativ në veçanti, është shkronjë ose alfabet, që buron nga mentaliteti i njeriut të mjedisit tonë dhe në të njejtën kohë është pjesë përbërësë e egzistencës së njeriut në përgjithësi. Është e ditur që krijuesit figurativë flasin me gjuhën e artit univerzal dhe ky fakt është një privilegj i madh për artistët figurativë në përqasje me krijuesin e lëmenjëve tjetër të artit.
Shoqata e Arteve Pamore e Gjilanit (SHAP) bën bashkë njëzet e pesë artistë nga komuna e Gjilanit, Bujanoci dhe Kamenica. Shumica e tyre janë shqiptarë, ndërsa një artist është nga komuniteti pakicë, dhe një piktore franceze me banim në Gjilan.
Përmes projektit “EKSPOZITA SHËTITËSE” edhe ne si shoqatë po synojmë të përmbushim një nga objektivat e AAVK-së: e cila përfshin valorizimin e krijimtarisë artistike të artistëve të rinj dhe promovimin e tyre para publikut dhe komunitetit artistik kosovarë dhe jasht saj.
Falenderojmë, Asociacionin e Artistëve Vizuel të Kosovës (AAVK) për organizimin e “EKSPOZITËS SHËTITËSE”, projekt i cili si përfundim bën bashkë në Galerinë e Artit në Tiranë shtatë qendrat: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë dhe Pejë. Gjithashtu falenderojmë dhe donatorët të cilët ndihmuan realizimin e këtyre ekspozitave në vazhdimësi dhe Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport – Gjilan.
Gjilan, 11.10.2023