Libri

Fondi Humanitar, urë lidhëse për bamirësi…

 

(Skender Ismaili, “Krahu i vendlindjes” (Monografi), sh.b. “Atunis” Prishtinë, 2017, fq. 395).

 

Bilall Maliqi

 

Diaspora shqiptare, ka luajtur rrol të rëndësishëm, jo vetëm për sensibilizimin e çështjes kombëtare, por edhe me kontributin e saj të pashoq, lidhur me ndihma materiale e në të holla, nëpër kohë dhe etapa të ndryshme.

Ajo ka qenë, është dhe do të jetë një zë thirrës për mbështetje, si të kauzës sonë kombëtare, por edhe për ta ruajtur substancën, në ato vende, të cilat janë të ndara nga trungu shqiptar.

E Diaspora, ka ditur, dhe dinë të vetëorganizohet, qoftë në shoqata humanitare, apo edhe në asociacione të tjera, të cilat merren kryesisht me çështje humanitare, e të cilat janë bazamenti kryesor i (mirë)mbajtjes dhe i mbështetjes për popullatën, në secilin segment të jetës.

Njëra nga këto Shoqata, që vepron në Zvicër, është edhe “Fondi Humanitar i Kosovës Lindore” me seli në Cyrih, i themeluar në vitin 1997, në valën e nxehtë të asaj kohe të pakohë, e cila prodhonte padrejtësi, dëbime, plaçkitje tek shqiptarët në përgjithësi, e në Kosovë në veçanti, duke u dalur në ndihmë materiale shqiptarëve, shkollave, tre luftrave të lavdishme shqiptare, por jo vetëm kaq, ky Fond i ka ndihmuar edhe bashkëkombasve të dëbuar nga puna, rasteve të shumta sociale, në këtë mënyrë, në masë të dukshme e kanë parandaluar migrimin masiv të popullatës.

 

Çfarë fshihet brenda librit?

 

Brendia e kësaj Monografie të llojit të veçantë, i titulluar “Krahu i vendlindjes”, si nga përmbajtja e lëndës, ashtu edhe si Monografi, e cila ka të bëjë me një përmbledhje të aktiviteteve të nduarduarta të këtij Fondi, që nga themelimi (1997-2017), (pra për njëzetë vjet traditë në aktivitetet e saj kryesisht humanitare), ka treguar rezultate të lakmueshme, gjithnjë duke u thirrur në ndihmat e tubuara për Kosovën Lindore, të cilat edhe nuk janë të pakta, kanë bërë të veten, që ky Fond të jetë një urë lidhëse me vendlindjen e okupuar totalisht nga papunësia enorme dhe nga mohimi i të drejtave kolektive të shqiptarëve.

Kjo Monografi në vete ngërthen një material të bollshëm, të shoqëruar me fotografi, dokumente e faksimile, të cilat e bëjnë më komplete dhe më të arrirë artistikisht librin. Këto dokumente të një rëndësie të veçantë si për librin, autorin e saj, edhe për kryesinë e anëtarët e Fondit, është një letërnjoftim dhe një arsyetim shumë korrekt i dedikimit, gjegjësisht i adresave të shpërndara të mjeteve të grumbulluara nëpër aksione të ndryshme, dosido të suksesshme, si për Fondin, poashtu edhe për kryerjet e obligimeve humanitare në terren.

Libri në përmbajtjen e vet ka hyrjen dhe tetë kapituj, të emërtuara nga Kuvendi i parë deri te i teti, si dhe pasthënien e njërit nga redaktorët e librit, shkrimtarit Jonuz Fetahaj.

Secilin kapitull, autori i librit, Skender Ismaili, e ka pajisur me material nga mbledhjet e ndryshme. Pra nga Kuvendi i parë, kur dhe ka filluar aktivitetin e saj, që nga Këshilli nismëtar apo iniciativ, ku ishin bërë edhe të gjitha  përgatitjet për ta mbajtur e duke rrugëtuar kështu edhe në shtatë Kuvendet e tjera të Fondit, autori i librit ka dhënë shumë shënime, statistika dhe zgjedhjeve të kryesive të reja me kryetarë e me dokumente të tjera, të cilat janë edhe udhërrëfyes për lexuesit, lidhur me ecejaket e këtij Fondi për njëzetë vitet e kaluara, duke u bërë kështu një shpresë për ndihmë për shqiptarët e kësaj krahine.

 

Humanizmi dhe mirësia…

 

Shqiptarët në të gjitha kohët kanë qenë solidarë dhe humanistë, jo vetëm në mënyrë individuale, por edhe përmes Shoqatave Joqeveritare, të themeluar enkas për t’u dalur në ndihmë popullatës dhe Fondeve të ndryshme, siç është edhe Fondi Humanitar i Kosovës Lindore, i cili përpos ndihmave të ndryshme nëpër kohët më të errëta dhe më të zymta për popullatën autoktone shqiptare, pati edhe aksionin e ndërtimit të 100 shtëpive, aksion ky që pati sukses. Pra të gjitha këto të mira që i kami pasur, i kemi dhe do t’i kemi edhe në të ardhmen nga ky Fond, janë argumenti më i fuqishëm, të cilin autori i librit i ka shpërndarë gjithandej kësaj Monografie.

 

“E hidhur është shija e mëshirës” (Azem Shkreli).

 

Kjo thënie e shkrimtarit të madh shqiptar Azem Shkreli, ndërlidhet edhe me motivin e brumit dhe të veprimtarisë së Fondit humanitar, e të cilat janë të përmbledhura brenda librit. Në prag të mëshirës ishim shumë herë dhe në etapa të ndryshme kohore, të cilat prodhonin shumë skamje, si me dëbimin e popullatës nga puna, mbylljen e reparteve shtetërore dhe moskrijimi i programeve sociale, e kanë bërë të veten që nga punëtorët tanë në diasporë, të lindin ide për themelimin e këtyre organizatave, me qëllim që t’u dalin në ndihmë, e t’ua zbusin gjendjen e tyre materiale, gjë që kjo doli shumë e suksesshme si ide dhe rezultoi pozitivisht në popullatën tonë.

 

Një Monografi komplete…

 

Lexuesi së lexuari të kësaj Monografie, do të pajiset me të dhëna konkrete dhe shumë korrekte, me një sistematizim dhe redaktim të mirë të brumit monografik, dhe si i tillë ky libër e ka vlerën e vet dhe është një nismë e mirë për të vazhduar edhe me Monografinë (2), në ndonjë përvjetor, poashtu është model edhe për Shoqatat e tjera Humanitare, të bëjnë hapa të tillë si të autorit të Monografisë Skender Ismaili.

Unë vështrimin tim po e përmbylli me një thënie të bukur:

 

“Mirësia është çelësi universal që i hapë të gjitha dyert e jetës” (Daut Demaku).

 

Pra përderisa kemi Diasporën e Artë, me Shoqata e Fondacione të tilla, siç është Fondi Humanitar i Kosovës Lindore, vendlindja jonë do të jetë më e pasur dhe nuk do të ngelet në mëshirën e fatit.

Le të vazhdojë edhe më tutje mirësia dhe humanizmi i njerëzve vullnetmirë e humanë, i Fondit Humanitar të Kosovës Lindore dhe i Shoqatave të tjera humanitare që veprojnë në Diasporë, me qëllim të përkrahjes si morale por edhe materiale për vendlindjet e tyre, të mbushura me halle e probleme të shumta…

 

You Might Also Like