Sporte të tjera

Garë spektakolare e motoçiklistëve në Dardanë: Triumfojnë Blerim Aliu dhe Alban Beqiri

Sheshi i qytetit të Dardanës sot u shndërrua në arenë të Motoçiklizmit, ku mbi 5,000 shikues përjetuan adrenalinën dhe spektaklin e motoçiklistëve përgjatë shtegut afro 3 km. Ky event i jashtëzakonshëm tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të sportit nga anë e mbanë Kosovës.

Shumë motoçiklistë nga gjithë vendi garuan në një shteg të improvizuar me pengesa të shumta në mes të sheshit të qytetit. Me shfaqjet e tyre spektakolare dhe manovrat e guximshme, ata arritën të mbajnë shikuesit në ankth dhe entuziazëm të pandërprerë, të cilët i përshëndesnin me ovacione dhe brohoritje.

Në mesin e shumë motoçiklistëve të talentuar, një garues nga Anglia i dha një dimension ndërkombëtar garës. Ky ishte një përfshirje e veçantë për eventin “Enduro Summer Fest Kamenica 2024”, i cili u organizua për herë të parë dhe është tashmë pjesë e kalendarit të Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës.

Pas një garë të ashpër dhe plot sfida, kampion u shpall Blerim Aliu në kategorinë MX1 300cc, ndërsa Alban Beqiri arriti të sigurojë vendin e dytë si nënkampion në kategorinë MX3 450cc. Për më të mirët e garës u ndanë mirënjohje dhe shpërblime në të holla, duke nderuar performancën dhe përkushtimin e tyre.

Nënkampioni i kësaj gare, Alban Beqiri, theksoi rëndësinë e këtij eventi dhe organizimin e tij të shkëlqyer. “Ishte një garë shumë mirë e organizuar, ndërsa qytetarët e Dardanës i dhanë hijeshi edhe më të madhe kësaj gare, të cilët dëshmuan se e duan këtë sport atraktiv. Ishte një garë shumë e fortë me shumë pengesa dhe motoçiklistë të dëshmuar. Kampionit Aliu i uroj këtë titull, ndërsa organizatorëve u uroj për mirëmbajtjen e kësaj gare atraktive,” tha Beqiri.

Përfundimi i këtij eventi shënoi një moment të rëndësishëm për komunitetin e motoçiklizmit në Kosovë. Organizatorët e “Enduro Summer Fest Kamenica 2024” premtuan që kjo do të jetë vetëm fillimi i një tradite të re në motoçiklizëm, me plane për ta bërë këtë festival një ngjarje vjetore, duke sjellë gjithmonë më shumë garues dhe spektatorë. Kjo garë jo vetëm që promovoi sportin, por edhe bashkoi njerëzit në një festë të madhe adrenalina dhe pasioni për motoçiklizmin.

You Might Also Like