Gjilan

Gazetari Hasan Bunjaku, përkujton të birin Artanin

PËRKUJTIM MORTOR
Ndërsa akoma ishim disi të tronditur për ikjen në përjetësi të Zonjës së Shtëpisë – vetëm pesë ditë më vonë, pikërisht në ditën e sotme, më 19 dhjetor para dy vitesh, papritmas, pas një sulmi të rëndë kardiak, “gjurmëve të së ëmës”, vajti edhe I Biri, I Madhi, Artani, profesor, programer, moderator, e një njeri, që, në këtë botë të shprishur fare, rrallë i gjendej shoqi, duke e marrë kështu goditjen e dytë të rëndë, të cilën, sinqerisht, mezi e përballuam, e akoma nuk po mund të besojmë se na ngjau kjo mynxyrë për një kohë kaq të shkurtër, që, bashkë me nënën e tij, me të madhe na e cungoi familjen tonë. Sepse, nëse e ëma, edhe ishte goxha e shtyrë në moshë, Artani ishte vetëm 46-vjeç, në vlugun më të madh të veprimtarive të shumta që i bënte njëherish, kohë kur do t’i gëzohej jetës, e do t’i realizonte objektivat e parapara jetësore, vetanake e familjare. E pra kishte kaq plane për të ardhmen, si njeri plot elan jetësor, e të cilat, Zoti e pa të udhës, që t’ia ndërprente që të gjitha, dhe, shpresojmë kaq shumë, do ta drejtonte për Xhennet, ndërsa neve të gjallëve, jo vetëm familjen por edhe të gjithë ata që e njohën e që i njohu, me të cilët rrezatonte energji pozitive – na bën që të krenohemi që e patëm për aq sa e patëm e çfarë e patëm, dhe jo vetëm familja Bunjaku, por edhe kolegët e punës, një armatë nxënësish, që, profesorin e deshën dhe Ai, i donte kaq shumë, dëgjuesit e zërit të tij kaq karakteristik e melankolik e të ëmbël, në Radio-Megavox, e Radio-Rinia. Andaj na ngel që të jetojmë me të gjitha këto atribute të bukura e pozitive me të cilat qe i stolisun Arti, që pushoftë në paqe në dheun e Kosovës, të cilën e adhuroi aq shumë!
Me mall të pashuar, në mendje, zemër e shpirt – përjetësisht
Familja BUNJAKU

You Might Also Like