Gjilan

Gjilani e Lugina janë një

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim të rregullt pune kryetarin e Këshillit Kombëtar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, njëherit edhe kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Jonuz Musliu, me të cilin kanë biseduar në kuadër të bashkëpunimit të rregullt, për kushtet e jetës që i kanë shqiptarët në Kosovën Lindore, për arsimin, shëndetësinë, sigurinë, punësimin, integrimin dhe vendimmarrjen në procese të ndryshme dhe me interes për komunitetin shqiptar atje.

“Komunikimi dhe angazhimi ynë është i përbashkët në të gjitha fushat që na lidhin Komunën e Gjilanit me Kosovën Lindore, si dhe mbështetjen e dhënë për banorët e asaj pjese të cilët tashmë janë në numër të konsiderueshëm, në biznes, arsim, shëndetësi dhe jetën kulturore e shoqërore në përgjithësi. Politikat qeveritare besojmë shumë që do të ndryshojnë sa i përket kërkesave që kanë qytetarët e asaj pjese, duke u dhënë më shumë hapësirë dhe vëmendje në lëmi të ndryshme shqiptarëve tanë atje”, ka thënë kryetari Haziri, gjatë këtij takimi.

Ai më tej ka potencuar edhe bashkëpunimin e mirë që është duke vazhduar sa i përket Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, por edhe bashkëpunimit në Kuvendin e Komunës ku përfaqësuesit me prejardhje nga ajo anë, përherë janë konstruktiv dhe në shërbim të zhvillimeve të gjithmbarshme në Gjilan.

Kurse nga ana e tij kryetari Musliu, ka falënderuar kryetarin Lutfi Haziri për angazhimin e përhershëm në shërbim të interesit të shqiptarëve të Kosovës Lindore.

“Kemi fatin që të kemi takime të shumta mbështetëse dhe këshilluese. Problem mbetet edhe më tutje në arsim, shëndetësi, buxhetim minimal të ndarë për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturore për këto tri Komuna. Presim që politika në Prishtinë dhe Tiranë karshi Beogradit, ta ketë në planin e saj çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore”, tha Musliu

You Might Also Like