Futboll

Gjilani gjeti kualifikimin në minutën e fundit

Gjilani është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës në Futboll, ngase në ndeshjen e luajtur këtë të shtunë në Stadiumin me bar sintetik në Gjilan e ka mposhtur Dukagjinin me rezultat 2:1.

Ishte kjo ndeshja e parë më e rëndësishme e Gjilanit sivjet, pas atyre të fazës përgatitore.

Goli i parë erdhi në minutën 22, kur pasi është shërbyer nga Shorsha, Progni me një gjuajtje të saktë në anën e majtë mposhti portierin Altik Muhaxhiri.

Në minutën 38, Dukagjini ia doli të barazojë nëpërmjet një autogoli të shënuar nga lojtarët vendas.

Në pjesën e dytë të dy ekipet patën raste të mira shënimi, por deri kah fundi nuk pati gol të shënuar. Gjilani ishte në pozitë shumë të mirë kur Dukagjini mbeti me një lojtar më pak në fushë. Fillimisht qendërsulmuesi i Dukagjinit Nikoliq u ndëshkua me karton të verdhë, por pas mospajtimit dhe shprehjeve të pahijshme u dënua më të kuqin. I nervozuar në këtë rast reagoi edhe kryetrajneri Armend Dallku e edhe ai u ndëshkua me të kuqin.

Në fund të ndeshjes, në minutën 90, pas një harkimi portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiti grushtoi topin, por shkurtazi deri te zëvendësuesi Calé, i cili me një parabolë të shkëlqyer futi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar Gjilani – Dukagjini 2:1. /kryelajmi.com/

You Might Also Like