LAJME

KFOR-i amerikan ekspozon para gjilanasve makinerinë ushtarake

Gjilan, 29 shtator 2018 – Në Komunën e Gjilanit sot është bërë ekspozimi i makinerisë ushtarake të KFOR-it amerikan, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, shëndetësisë primare, ngjarje kjo e cila ka bërë bashkë fëmijët dhe shumë qytetarë, të cilët kanë nga afër kanë përcjellur ekspozimin që kanë bërë këto institucione.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fjalën e tij ka potencuar rëndësinë e madhe që ka ky bashkëpunim dhe ky ekspozim i makinerisë ushtarake, policore dhe shëndetësore, për të punuar bashkë në ruajtjen e paqes dhe jetës së qytetarëve në përgjithësi.

“Është ditë e organizimit të përbashkët dhe shumë e veçantë e këtij ekspozimi që është bërë në bashkëpunim me KFOR-in në Kosovë. KFOR-i është sinonim i paqes në regjionin tonë dhe në Kosovë në përgjithësi. Regjioni ynë është i populluar me një multietnicitet, me dallime fetare dhe politike gjithashtu, por asnjëherë diversitetin tonë nuk e kemi parë ndryshe, përpos si vlerë. Jemi në muajin e pastrimit të Kosovës, që është shpallur nga qeveria. Gjilani pretendon të mbjell një mijë drunj gjatë këtij muaji, ndërsa sot do të bëjmë mbjelljen e drurit të paqes në oborrin e çerdhes në lagjen “Dardania” që ka vlerë përtej simbolikës”, tha Haziri.

Gjenerali i KFOR-it në Kosovë, Salvatore Couci, ka thënë se është kënaqësi e madhe të shohësh fëmijët derisa po kënaqen duke shikuar ekspozimin tonë dhe të institucioneve të tjera.

“Është shumë mirë që të shohim fëmijët, të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi, derisa janë kurreshtarë të shohin atë që kemi ekspozuar. Një ngjarje e qëlluar që është bërë së bashku nga të gjitha institucionet dhe nga kryetari i Komunës, gjithashtu. Do të organizohemi edhe herave të tjera kështu. Edukimi i fëmijëve pa dallime është me shumë rëndësi, prandaj duhet të punojmë të gjithë bashkërisht për sigurinë publike, për të garantuar të ardhmen më të mirë dhe gjithashtu edhe për t’u kënaqur e gëzuar së bashku”, ka thënë mes tjerash gjenerali Couci.

Kurse komandanti i KFOR-it amerikan në Kosovë, regjioni i lindjes, kolonel Nick Ducich, ka potencuar se kjo ngjarje ka mesazhin e bashkëpunimit ndëretnik e ndërfetar, e ndërtimit të të ardhmes së përbashkët dhe normalisht edhe e përkujdesjes për ambient më të mirë për të gjithë.

Kolonel Ducich, ka thënë se kjo ditë është në shërbim të të gjithë qytetarëve, njëkohësisht nga pjestarët e KFOR-it do të jepen informata për gjithçka që u intereson qytetarëve dhe fëmijëve.

Në fund, të gjithë bashkërisht kanë mbjellur drurin e paqes në oborrin e çerdhes në lagjen “Dardania”.

You Might Also Like