Komuna e Gjilanit nderon veprën heroike të Nezir Shurdhanit, në 22-vjetorin e rënies
Gjilan, 22 qershor 2021 – Në 22-vjetorin e rënies së dëshorit të kombit, Nezir Shurdhani, kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, me bashkëpunëtorë, drejtorë të drejtorive komunale, familjarë, shokë dhe qytetarë, kanë bërë homazhe te vendi i renies, (ish-fabrika e Çlikut).
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila ka folur në emër të institucioneve lokale, tha se gjaku i heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve në luftën për liri, është themel i Republikës së Kosovës dhe njëherit thirrje e fuqishme për angazhim maksimal në zhvillimin e vendit.
“Veprimtaria dhe vendosmëria e Nazir Shurdhanit dhe e shokëve të tij është ajo që na ka sjellë këtu në shenjë respekti dhe shprehje të dhimbjes që ai sot nuk është mes nesh. Gjaku i derdhur i dëshmorëve për lirinë e Kosovës, nuk duhet të harrohet asnjëherë. Ne bashkëvendësit e tij, sot dhe gjithmonë e kemi obligim që të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë e më shumë që ky vend të lulëzojë dita-ditës dhe të jetë i zhvilluar në çdo aspekt. Kështu mund të ecim përpara në realizimin e ëndrrës së popullit shqiptar dhe të bashkëveprimtarëve të Nezirit dhe të atyrë që dhanë gjithçka që ne të jetojmë në liri”, ka thënë kryesuesja Kurteshi-Emini.
Në emër të shokëve nga ish-ndërmarrja Çeliku në Gjilan, ka folur Vehbi Aliu, i cili ka shprehur ngushëllime familjes dhe ka ndarë kujtimet më të mira që kishin me Nezir Shurdhanin, i cili kishte mbetur i vrarë 22 vjet më parë në vendin e tij të punës, duke mbrojtur ndërmarrjen në të cilën ai kishte dhënë kontributin e tij.
“Sot jemi këtu së bashku me Avdi Lipovicën dhe Enver Bajramin, për të shprehur ngushëllimet tona më të sinçerta familjes Shurdhani, e cila duhet të jetë gjithmonë krenare me veprën dhe vendosmërinë e Nezirit, i cili ra heroikisht në mbrojtje të ndërmarrjes e cila ishte vendi ynë i punës dhe pasuri shtetërore”, ka thënë ai mes tjerash.
Në emër të familjes të pranishmit i ka falënderuar vëllau i Nezirit, Fatmir Shurdhani, i cili rezencën e të gjithë të pranishmëve e ka konsideruar mbështetje dhe ngushëllim për familjen që në kujtimin e tij, që kanë gjithmonë miq të shumtë, udhëheqës institucionesh dhe qytetarë që e bashkëndjejnë dhimbjen.
Ai ka spikatur momentet e fundit të vëllaut të tij, që kishte hequr mbishkrimet çirilik në Ndërmarrjen Çeliku dhe kishte ngritur flamurin kombëtar aty, derisa me shikimin drejt tij edhe kishte ndërruar jetë pas plagëve të rënda që kishte marrë, derisa dy shokët e tij u gjetën të plagosur, në vendin e ngjarjes dhe fatbardhësisht sot janë në jetë.
Ndryshe, vetëm një javë pas hyrjes së forcave të UÇK’së dhe 11 ditë pas hyrje së forcave të NATO’s në Gjilan, nga përballje e fundit me fallangat e okupatorit dhe paramilitarët, u vra Nezir Shurdhani, derisa u plagosën Avdi Lipovica, Afrim Bajrami dhe Enver Ajvazi.