Gjilan, 19 shkurt / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-rregulloren për transparencë, sipas sugjerimit të MAPL, planin komunal për ri-integrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar 2019-2020, propozimin për këmbimin e pronës private me pronën komunale, sipas planit rregullues urban “Qarku 1” si dhe dy informata, njëra për manifestimin “Flaka e Janarit” 2020 dhe tjetra për suksesin e nxënësve në gjysmë-vjetorin e parë 2019/2020.
Sa i përket rregullores për transparencë si dhe planit komunal për ri-integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar për periudhën 2019-2022, sqarimet e nevojshme i ka dhënë Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit.
Ndërkaq, te çështja e ndërrimit të pronave, Sali Fazliu, drejtor për Kadastër, sqaroi se kjo bëhet me qëllim të realizimit të planit rregullues “Qarku 1”, ku përfshihet edhe kompleksi memorial “Kodra e Dëshmorëve”, për nevoja të hapjes së rrugëve për automjete dhe këmbësorë, gjelbërimit dhe vend-parkingjeve.
Nevzad Isufi (VV) pati vërejtje te klasifikimi i pronave, prandaj, tha ai, ne nuk i japin përkrahje këtij propozimi për këmbim.
Përndryshe, një debat i gjerë u zhvillua rreth çështjes së disa pronave te ish-kampi Montith, të cilat janë shpall interes publik, ku opozita kërkoi që të rihapet debati sa i përket shpronësimit, ndërsa pozita e konsideroi të mbyllur debatin në Kuvend rreth kësaj teme, sepse është diskuar dhe vendosur njëherë për këtë problem.
Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit, tha se nuk është në pyetje mungesa e gatishmërisë për të diskutuar, por pse duhet të përsëritet debati për një çështje ku Kuvendi e ka kryer punën e tij dhe tani i përket ekzekutivit që t`i zhvillojë procedurat tjera dhe në këtë drejtim është duke u punuar.
Komiteti, pas sqarimeve shtesë që i bëri Sali Fazliu, drejtor për Gjeodezi dhe Kadastër, i dha përkrahje propozimit të Mimoza Kadriut (Nisma) që shefat e grupeve, përkatësisht KPF, së bashku me përfaqësuesit e pronarëve, të organizojnë një takim me kryetarin e Komunës, për të parë se deri ku kanë shkuar procedurat sa i përket shpronësimit.
Takimin e sotëm KPF e ka filluar me shprehjen e keqardhjes, dhembjes dhe ngushëllimeve për rastin e djeshëm tragjik që ndodhi në familjen Bllaca në Gjilan, ku mbetëm pesë të vdekur, me lutjen që raste të tilla të mos ndodhin kurrë më në shoqërinë tonë.