Gjilan

Kuvendi nuk e procedon kërkesën e kryetarit Hyseni për futjen në rend dite të buxhetit 2025 dhe ndërrimin e destinimit të fshatit social

Gjilan, 18 shkurt 2025 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, në seancën e parë të rregullt për vitin 2025, ka miratuar raportet e punës së komiteteve për vitin 2024, planet e punës së komiteteve për vitin 2025, raportin e komisionit për emërtimin e rrugëve, të cilin e ka paraqitur Blerim Haziri (VV), kërkesën e NPL Stacioni i Autobusëve për mbështetje financiare në shumën prej 207 mijë euro për shkak të vështirësive të funksionimit pas fillimit të punimeve aty deri në përfundimin e këtij projekti, të cilën e ka prezantuar drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Burhan Isufi, sikurse edhe kërkesën e Shoqatës së Invalidëve të Luftës për mbështetje ndaj një veterani të cilit i është rrënua shtëpia.

Në këtë seancë, është diskutuar edhe rreth klasifikimit dhe riciklimit të mbeturinave, me inicim të asambleistit Ismajl Kurteshi, për përmirësimin e gjendjes në këtë aspekt, ku është miratuar një Komision prej pesë anëtarëve për të nxjerrë një raport me rekomandime për të dalë nga kjo gjendje e rëndë.

Po ashtu, Kuvendi, ka miratuar edhe kërkesën e komisionit të bursave për ndarjen e mjeteve shtesë në vlerë prej 17.000 euro për shtatë

bursistë.

Paraprakisht, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka propozuar që të futet në rend dite miratimi i buxhetit për vitin 2025 dhe ndërrimi i destinimit të shfrytëzimit dhe dhënia në shfrytëzim të fshatit social të Kuvajtit “EuroSky”, kërkesa këto të cilat sërish nuk morën mbështetjen e shumicës, pasi partitë opozitare (LDK, PDK, Vatra), të cilat e përbëjnë shumicën në Kuvendin Komunal, votuan kundër, nën arsyetimin se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre.

Kuvendi ka shtyrë për një seancë tjetër kërkesën e qendrës për hulumtim dhe zhvillim për mbështetje financiar për Universitetin e Preshevës, diskutimin rreth kontratave mbi vepër, kërkesën për bashkëpunim ndërkomunal me Kosmunën e Gostivarit dhe raportin e punës të Komisionit për dhënien e titujve të nderit, mirënjohjeve dhe shpërblimeve.

Në këtë seancë kanë kontribuar me pyetje e rekomandime edhe asambleistët, Avdyl Aliu, Bujar Nevzati, Nazim Gagica, Blerim Haziri, Arbër Musliu, Krenare Latifi Kqiku, Sami Ahmeti e Muhadin Haziri.

You Might Also Like