Kampionja e Kosovës, klubi i volejbollit Drita nga Gjilani, paralajmëron protestë para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe të Sportit të Kosovës (MKRS).
Drita jep arsyet e protestës.
“KV Drita të martën më 30 Nëntor 2021, në orën 11:00 para objektit të MKRS-së do të organizojë protestë paqësore.
Protesta jonë do të jetë me numër të vogël të pjesëmarrësve.
Protesta do të zgjasë 18 minuta!
Do të shpalosim 18 pankarta!
Numri 18 simbolizon titujt e kampionit dhe kupat e fituara nga KV Drita në dekadën e fundit.
Sqarim rreth arsyes për protestë:
KV Drita nga pakoja e Rimëkëmbjes do të ndihmohet me shumë qesharake në raport me ndihmën e ndarë për klube e OJQ tjera, që nuk i përafrohen aktivitetit dhe rezultateve tona.
Ky krahasim dhe kjo pabarazi është nënçmuese dhe e papranueshme!
MKRS fillimisht kishte bërë projeksion buxhetor për ndihmë mbi 20.000€ për KV Drita, që më pas është zvogëluar më shumë se 50%.
Ne si klub nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë shumën e zvogëluar, e cila është paraqitur në listën preliminare të përfituesve e shpallur me datën 22.11.2021 nga MKRS- Departamenti i Sportit.
Shuma e cila ishte paraqitur në këtë listë preliminare është nënçmuese për ne si klub, e akoma më poshtëruese ndaj nesh e bënë fakti kur ne e kuptojmë se ajo është zvogëluar duke dashur që me pjesën tonë, të behet nder me të tjerët.
Nuk është zgjidhje ajo që MKRS e ka zgjedhur, duke u marrur të tjerëve shumat që u kishte premtuar dhe duke dhënë tjerëve, për të bërë favore në kurriz të klubit dhe sportit tonë!
Kjo është hera e parë që i jepet mundësi të gjitha klubeve që janë të regjistruar si OJQ të konkurrojnë për të përfituar nga pako ringjalljes dhe këtë herë MKRS nuk e ka parë të arsyeshme që një klub, i cili është më i trofeshmi dhe i vetmi në sportin kosovar për femra i cili ka marrë pjesë në të gjitha garat e mundshme Evropiane nga Champions League, CEV Cup, Challenge CUP, Balkan Cup, të ndihmohet përmes meritave të arritura”, reagon KV Drita-femrat.