E kanë nisur si është më së keqi dhe dukeshin të thyera, por gjilanaset që shquhen të atilla që nuk dorëzohen kurrë u ngritën si feniksi dhe shënuan fitore në finalen e dytë të play-off-it dhe tash janë vetëm një hap larg titullit të kampionit, shkruan kryelajmi.com.
Bardh e kaltrat e nisën shumë keq ndeshjen dhe thuajse asgjë nuk u shkoi për dore, ngase vashat e Skenderajt arritën një distancë prej 6 pikësh, të cilën ditën ta ruajnë, derisa lojtaret e Dritës gabuan shumë në shërbime dhe seti i parë u mbyll me rezultat 25:17
Edhe në setin e dytë volejbollistet e Skenderajt u shkëputën, madje me rezultat dyshifror, por volejbollistet e Dritës disa ia arritën që të afrohen deri në 21:23, por kjo ishte e tëra që ia arritën që të bëjnë dhe e humbën edhe setin e dytë me 25:21.
Dukej se Drita po shkonte drejt humbjes së parë në këtë kampionat, por kryetrajneri Lorik Ilazi diti që t’i motivojë lojtaret dhe ato e ngritën ritmin e lojës dhe setin e tretë e fituan bindshëm me rezultat 13:25, duke e ngushtuar rezultatin në 2:1 në sete.
Seti i katërt ishte më i barabarti, set në të cilin gjilanaset e dëshmuan përvojën e tyre. Prenga, Kadriu, Abdyli, Ramadani, Ylmaz, Erbuga dhe Sylejmani ishin të motivuara si asnjëherë më parë dhe në fund e morën edhe këtë set me rezultat 25:23 dhe u desh që të luhet seti i pestë vendimtar.
Drita, diti që edhe këtë set t’a fitojë me urti dhe e para arriti te pesëmbëdhjetë pikëshi, duke e kufizuar Skenderajn vetëm në njëmbëdhjetë pikë dhe me meritë e fitoi ndeshjen me rezultat 3:2 në sete.
Ndeshja e tretë e serisë finale do të luhet në Gjilan, kurse kampion do të shpallet ekipi që i arrin tri fitore. Drita udhëheq 2:0 me lojë./kryelajmi.com/