Në Konferencën për media të mbajtur sot nga drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Sadudin Berisha, është bërë e ditur se në këtë drejtori të gjitha punët, por edhe kërkesat e qytetarëve janë prioritet i vetëm dhe sipas tij kjo e ka bërë këtë resor që të gjitha lëndët të kryhen në afat rekord.
Drejtori Berisha ka numëruar disa nga aktivitetet e ndërmarra nga ky resor në këtë periudhë të parë të vitit, kur kushtet klimatike minimizojnë aktivitetin në terren, më tej ai ka spikatur lëndët e pranuara dhe efikasitetin në përgjigje të shpejta për qytetarët.
“Kemi pranuar një numër shumë të madh të lëndëve dhe ato të gjitha po kthehen brenda afateve shumë të shkurtëra kohore, duke mos konsumuar as afatet e rregullta zyrtare-ligjore. Deri më tani nga 1580 kërkesa të pranuara vetëm rreth 100 sosh janë në proces, që është një sukses në procedimin e lëndëve”, ka thënë drejtori Berisha.
Ai ka pohuar se në këtë fazë kohore kanë lëshuar rreth 5 mijë çertifikata të pronësisë, mbi 800 çertifikata të gjendjes ekonomike, dhe mbi një mijë kopje të planit.
Po ashtu, Drejtoria që udhëhiqet nga Sadudin Berisha, ka bërë edhe përcaktimin e kufijve të rrugës dhe trotuarit në fshatin Zhegër, pastaj përgatitjen e vendimeve përfundimtare për shpronësim për shkollë dhe çerdhe sipas Planit Rregullues Urban “Dheu i Bardhë”, vlerësimin e pronave sipas PRrU “Qarku 1” etj.
“Përpos këtyre ne kemi bërë edhe regjistrimin e pronës të shpronësuar për pikën kufitare në Stançiq si dhe dorëzimin e 33 dosjeve për shpronësim të vitit 1974 për nevojat e rrugës Gjilan-Prishtinë, për nevojat e zgjerimit të rrugës me katër korsi”, ka thënë mes tjerash ai.
“Edhe sa i përket të hyrave vetanake, është realizuar planifikimi i drejtorisë sa i përket tre mujorit të parë të vitit 2017”, ka bërë të ditur ai, duke pretenduar tejkalim të planifikimit gjatë muajve të tjerë” pohoi drejtori Sadudin Berisha.
Drejtori Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës në Gjilan, Sadudin Berisha, ka potencuar edhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe njëherit ka falënderuar për këtë të gjitha ndërmmarrjet publike, KEDS-in, PTK-në, dhe gjithë resorët tjerë të nivelit qeveritar të menaxhimit në Gjilan.