Kabineti i informatikës në Shkollën e Mesme të Ultë “Dëshmorët e Kombit” në Livoç të Ultë ka marrë një pamje krejt tjetër. Ky kabinet është pasuruar me kompjuterë, që janë donacion i mërgimtarit Mehmet Sopa dhe Kompanisë Led-Com.CH, të cilat kompletuan kabinetin e TIK-ut.
Siç ka theksuar Ejup Bllaca, drejtor i Shkollës, bashkëpunimi i shkollës me komunitetin gjithnjë në shkollë sjell freski, kurse përfituesit më të mëdhenj janë nxënësit e shkollës.
Drejtori Bllaca, ka thënë se mërgimtari Mehmet Sopa dhe Kompania Led-Com.CH kanë dhuruar për këtë shkollë, gjë për të cilën stafi punues dhe nxënësit e shkollës i janë mirënjohës këtyre donatorëve.
Mërgimtari Mehmet Sopa, ka thënë se kjo është më e pakta që mund të bëjë për nxënësit. Sipas tij, edhe nxënësit e Livoçit të Poshtëm, sikurse bashkëmoshatarët e tyre anekënd botës, duhet të arsimohen me mjetet të reja të teknologjisë, derisa Refik Ramadani, nga Kompania Led-Com.CH, ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që ndihmojnë shkollat e këtushme me kompjuterë. Ramadani, që edhe vetë është mësimdhënës i Informatikës, ka theksuar se mësimi i kësaj lënde është me rëndësi për nxënësit, andaj kanë vendosur që t’u dalin në ndihmë nxënësve, ngase në të ardhmen ata do të mund të përdorin teknologjinë informative në studimet e mëtejme, por edhe në profesionet e tyre.