Gentjan Mezani, kryetrajner i ekipit ka folur para mediave në prag të sfidës kampionale ndaj Llapit, teksa ka kërkuar nga futbollistët e tij të jenë të impenjuar në çdo minut të lojës.
Mezani është i vetëdishëm për kohën e shkurtër të përgatitjes për këtë ndeshje, megjithatë ka theksuar se skuadra ka punuar për të marrë maksimumin e pikëve.
“Koha e përgatitjes për këtë ndeshje ka qenë e shkurtër, pasi që kemi zhvilluar ndeshje në fundjavë. Megjithatë, ne kemi përgatitur ekipin dhe menyrën se si do të luajmë. Ne do të futemi për maksimumin e pikëve, pasi që ato janë që na mbajnë në objektivin tonë”.
“Ne shikojmë vetëm ndeshjet e radhës, jemi të vetëdishëm që ato shkojnë tani duke u pakësuar dhe rëndësia e pikëve është e madhe. Ne punojmë gjithmonë për të marrë maksimumin e pikëve, pavarësisht kundërshtarit të cilin e kemi përballë”.
Përqëndrim për të shënuar, tifozët sërish vendimtar për klubin
Tekniku i parë i skuadrës ka potencuar se skuadra po vazhdon të krijoj raste të shumta shënimi, mirëpo në momente të caktuara po u mungon përqendrimi.
Ai u ka bërë sërish thirrje tifozëve që të jenë afër skuadrës.
“Ne luajmë për të shënuar, pavarësisht që në dy ndeshjet e fundit nuk kemi shënuar. E rëndësishme është që skuadra vazhdon të krijoj, të afrohet drejt portës dhe padyshim që goli do të vjen. Ne synojmë që golat të vijnë që nga ndeshja e radhës dhe shpresojmë që sulmuesit të kenë ditën e tyre”.
“Kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund dhe normalisht që kemi nevojë për ndihmën e “Skifterave”. Klubi është i “Skifterave” ne jemi vetëm kalimtar, por në këtë moment jemi së bashku për të arritur një objektiv, prandaj të gjithë duhet të jemi bashkë në katër ndeshjet e fundit. Presim mbështetje të madhe që nga sfida ndaj Llapit”.
Gjilani do të ndeshet me Llapin këtë mesjavë (9 Maj) me fillim nga ora 15.00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.