Në dërrasat e hambarit të Feriz Berishës në Llashticë, që daton nga shekulli XVIII, ka të gdhendura dekorime të ndryshme, gjë që ia shton vlerën kulturore.Komuna e Gjilanit ka pasuri të shumta nga trashëgimia e jonë kulturore, kurse pos objekteve të luajtshme, të cilat pritet të ekspozohen me hapjen e Muzeut të Gjilanit, nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan janë evidentuar të gjitha objektet e paluajtshme të cilat janë me vlerë.
Siç thekson Artan Hoxha, drejtor në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, që nga Malësia e Dardanës e deri te ajo e Kaçanikut janë evidentuar shumë objekte me vlerë, që është dëshmi se kjo anë është e pasur me objekte të shumta.
Artistët e kohës e mjeshtrit popullorë kanë ditur që edhe nga objektet që shërbejnë për bujqësi të krijojnë ndërtime artistike e me vlerë, disa nga të cilat janë ruajtur deri më sot.
Në fshatin Llashticë, komuna e Gjilanit, i tillë është hambari i Feriz Berishës. Ky ndërtim është realizuar në shekullin XVIII dhe pos vlerës së vjetërsisë, në të janë gdhendur edhe figura artistike.
Siç thekson Ismet Tafili, zyrtar në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, ky objekt është evidentuar dhe ai fillimisht kishte funksionin e mbajtjes dhe ruajtjes së drithërave. Hambari ka pesë ndarje për drithë dhe një dritare në kulm. Sipas tij, ky është një hambar mjaft karakteristik dhe i ruajtur mirë. Në dërrasat e tij ka të gdhendura dekorime të ndryshme, gjë që ia shton vlerën kulturore. Ka çardakun, i cili mbahet në shtylla të drurit, që gjithashtu kanë dekorime të punuara nga mjeshtri popullor.
Ndërtesa ka vetëm përdhesen me konstruksion nga druri. Kulmi është katërujor i mbuluar me tjegulla të vjetra dhe me një dritare të vogël në majë. Ka hajatin apo parahyrjen me shtylla të drurit, në të cilat mbështetet kulmi. Si shtyllat, ashtu edhe trarët e drurit kanë dekorime me motive gjeometrike të gdhendura nga mjeshtri popullor, të cilat ia shtojnë vlerën e tij kulturore.
Sipas të dhënave të banorëve të fshatit, ky hambar, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka qenë një lloj burgu.