Gjilan

Musli Ukshini dinjitetshëm e mbylli kaptinën e tij jetësore

LAMTUMIRË Musli Ukshini (Aga Musë)

Lajm i pritur por shumë i ftohtë.
Iku në përjetësi veterani i arsimit dhe i aktivitetit shoqëror e politik, njeriu ynë shumë i dashur, Musli Ukshini. Ne që e njohëm në politikë dhe që ishim më të ri e quanim me plotë respekt Aga Musë.
Musli Ukshini ishte prind i mirë dhe pas veti e la një familje të mrekullueshme. Ishte mësues i mirë për dekada të tëra. Ishte aktivist i pandalshëm shoqëror e politik dhe ishte kolegë i mirë. Por, Musli Ukshini i posedonte krejtë këto atribute sepse mbi të gjitha, ishte njeri i mirë dhe atdhetar i mirë.
Aga Musë ishte fjalëpak, ishte i urtë, ishte stabil, ishte besnik dhe i gatshëm për punë e për diskutim në çdo kohë. Shoqërohej me të gjithë neve pa dallim moshe dhe të gjithëve na kishte miq dhe e kishim mësues e mik të veçantë.
Ai e kishte një humor të lehtë dhe me ata që i trajtonte miq e kolegë të punës fliste lirshëm, pa paragjykime e pa dorëza. Nuk donte ta veçonte, ta provokonte apo ta ngacmonte askend me muhabetet e tij edhe atëherë kur ishte kritik për rrjedhat tona politike e shoqërore. Ishte i kujdesshëm përherë.
Aga Musë e afirmonte përherë punën e mirë dhe sjelljen e mirë. I donte njerëzit sinqerisht dhe i donte me shpirtë.
Thënë ndryshe, Musli Ukshini e mbylli dinjitetshëm kaptinën e tij jetësore dhe prapa e la gjurmën dhe shembullin e shqiptarit të spikatur e të përkushtuar në çdo aspekt, edhe në familje, edhe në edukimin e brezave, edhe në jetën tonë politike e shoqërore.
Musa, me sjelljen dhe punën e tij u qëndroi plotësisht besnik amaneteve të dëshmorëve e të martirëve tanë. U qëndroi besnik amaneteve të prindëve të tij të cilët u martirizuan poashtu për lirinë e Kosovës e të shqiptarëve.
Musa do të na mungojë të gjithë neve që e njohëm dhe punuam me të përmes aktivitetit politik por edhe në çfarëdo rrethane tjetër.
Patjetër që do ta ruajmë me besnikëri dhe përherë të freskët kujtimin për të sepse ai e meriton të kujtohet e të rikujtohet.
Në emrin tim dhe në emrin e të gjithë aktivistëve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Nasalë, në Zhegër e në Gjilan Ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së ngushtë e të gjërë Ukshini dhe kolegëve të punës në arsim e në politikë, ish nxënësve dhe miqëve e shokëve të Agës Musë e të familjes së tij.
E falënderojmë Agën Musë për krejtë angazhimet e tij për ta bërë më të mirë Nasalën, Zhegrën, Gjilanin e Kosovën.
Lutemi të gjithë bashkë që Musa i jonë të pushojë në paqen e paskajshme të parajsës.

Qemajl Mustafa

You Might Also Like