Mjafton të vërehet moti e shumë familje në lagjen “Abdullah Tahiri” nisin të brengosen se çfarë do të ndodhë me shtëpitë e tyre nëse nis shiu.
Kur ka rrebeshe shiu, ujëmbledhësit e zënë nuk mund të përpijnë ujërat që rrjedhin nëpër asfalt e fytet e ngushtë të kanalizimit bllokohen, andaj nga pusetat fillon të dalë uji sikur të ishte ndonjë fontanë.
Uji i tërë qytetit merr turr dhe grumbullohet në lagjen “Abdullah Tahiri”, ku krijohen basene të mëdha e shtëpive uji u shkon deri te pragu.
“Shumëkush i gëzohet shiut, i cili sjell bereqet, por jo edhe banorët e lagjes sonë”, thotë Meliha Brestovci, nga kjo lagje, sipas të cilës në dhjetët ditët e fundit sa herë që ka rënë shi, ujërat e shiut janë përzier me ujërat e zeza dhe banorëve të lagjes u kanë shkuar deri te pragu i shtëpisë, duke rrezikuar edhe dëme materiale.
Sipas saj, duhet disa ditë që uji të tërhiqet, duke lënë llymin që mbetet aty dhe pashmangshëm erërat që kundërmojnë në ditët që vijnë.
Për pak ditë, banorëve të lagjes “Abdullah Tahiri” kjo po u ndodhe për herë të pestë, kurse sidomos këtë të marte gjendja ishte shumë e rëndë dhe këta banorë druajnë se çfarë do të ndodh nëse vazhdon kësisoj të bije shi.
Përgjegjësit komunalë duhet të bëjnë diç sa nuk është bërë vonë, ngase banorët vazhdojnë në ankth, me ujin që u ka ardhur deri te pragu i shtëpisë./kryelajmi.com/.