Shëndeti

Psikologia Vjollca Zymberi Devaja hap Qendrën Psikologjike “RISE” në Gjilan

Në një kohë kur ngarkesat mendore dhe fizike po rriten për shkak të ritmit të shpejtë të jetës dhe ndikimit të teknologjisë, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë ndihmë profesionale për mirëqenien e tyre psikologjike. Për të ofruar mbështetje në këtë drejtim, psikologia Msc. Vjollca Zymberi Devaja nga Gjilani ka hapur Qendrën Psikologjike “RISE”, e cila synon të ndihmojë çdo individ në përmirësimin e shëndetit mendor dhe zhvillimin e aftësive jetësore.

Msc. Vjollca Zymberi Devaja ka një karrierë të pasur akademike dhe profesionale. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Psikologjisë së Përgjithshme dhe më pas studimet pasdiplomike në Fakultetin Filozofik për Psikologjinë Industriale-Organizative. Për më shumë se 20 vite, ajo ka qenë profesoreshë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, duke ndihmuar breza të tërë nxënësish në zhvillimin e tyre intelektual dhe emocional.

Përveç mësimdhënies, ajo ka shërbyer si koordinatore dhe trajnere në Organizatën Joqeveritare KCIC në Gjilan dhe si asistente profesoreshë në Kolegjin Universitar të Gjilanit. Në të kaluarën, ka qenë edhe udhëheqëse për Kosovën në Stratum Research në Shkup, si dhe ka drejtuar Qendrën Psikologjike Aponia në vitin 2014. Aktualisht, ajo ndjek kursin e Terapisë Kognitive-Biheviorale (CBT) në Kosova Health Foundation, duke synuar të sjellë metoda të reja dhe të avancuara terapeutike për pacientët e saj.

“Rrugëtimi im profesional nuk ka qenë i lehtë, por ka qenë gjithmonë i motivuar nga dëshira për të ndihmuar të tjerët. Hapja e Qendrës Psikologjike ‘RISE’ është një hap i rëndësishëm për të sjellë mbështetje profesionale për të gjithë ata që kanë nevojë për këshillim dhe zhvillim personal”, shprehet Msc. Vjollca Devaja.

Qendra “RISE” është një hapësirë unike edukative që ofron kurse dhe trajnime të ndryshme për të ndihmuar individët në menaxhimin e stresit, ndërgjegjësimin emocional dhe zhvillimin e aftësive personale e profesionale.

“Ne synojmë të krijojmë një ambient të sigurt dhe mbështetës, ku çdo individ të mund të eksplorojë ndjenjat e tij, të mësojë strategji efektive për menaxhimin e emocioneve dhe të zhvillojë aftësi të reja për një jetë më të ekuilibruar,” thekson Devaja.

Kurse të ofruara për grupmosha të ndryshme:

Për fëmijët (6-11 vjeç):
– Kursi i përqendrimit të vëmendjes – ndihmon fëmijët të zhvillojnë fokusin dhe aftësitë e tyre për menaxhimin e emocioneve.

Për të rinjtë (12-18 vjeç):
– Kursi i inteligjencës emocionale – ndihmon të rinjtë të zhvillojnë njohjen emocionale dhe sociale.
– Kursi i orientimit në karrierë – ofron udhëzime dhe mjete praktike për të ndihmuar nxënësit të identifikojnë prirjet e tyre profesionale.

Për studentët dhe të rriturit:
– Kursi i ndërgjegjësimit dhe Mindfulness – ndihmon në reduktimin e stresit dhe përmirësimin e mirëqenies mendore.

“Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik. Nëse një person ndjen stres të vazhdueshëm, ankth apo vështirësi në menaxhimin e emocioneve, ai duhet të kërkojë ndihmë profesionale. Ne jemi këtu për të ofruar atë ndihmë,” thotë Devaja.

Në Qendrën “RISE”, përveç Vjollca Devajës, punon edhe një ekip i përbërë nga profesionistë të fushave të ndryshme të psikologjisë, edukimit dhe zhvillimit personal, siq jane Msc. Alma Bajrami (psikologe klinike), Ma. Kestrina Shabani (psikologe shkollore dhe keshillime), Ma.Donjeta Lenjani (psikologe shkollore dhe keshillimi), Altuna Kastrati (staf mbeshtetes) dhe Bsc. Tringe Zeneli (Logopede).

“Ne përdorim një qasje gjithëpërfshirëse, duke kombinuar lojërat, ushtrimet praktike dhe diskutimet grupore si forma reflektimi. Puna jonë synon të ndihmojë njerëzit të ndërtojnë një jetë më të qetë dhe të lumtur”, shton ajo.

Qendra Psikologjike “RISE” ka për qëllim jo vetëm rehabilitimin e mendjes dhe sjelljes njerëzore, por edhe promovimin e një qasjeje të re ndaj trajtimit të shëndetit mendor.

Me hapjen e kësaj qendre, qyteti i Gjilanit fiton një institucion të rëndësishëm në fushën e psikologjisë, duke ofruar ndihmë dhe mbështetje për të gjithë ata që kërkojnë zhvillim personal dhe mirëqenie emocionale.

You Might Also Like