Gjilani edhe njëherë i ka mbajtur në ankth shikuesit e vet deri në minutën e fundit dhe sërish, në ndeshjen e tretë radhazi ka shënuar në kohën shtesë.
Në fushën e mbuluar me borë, lojtarët e kanë pasur të vështirë që t’a kontrollojnë topin, megjithatë në pjesën e parë ka patur disa raste të mira shënimi. Gjilani i pati tri raste të tilla dhe përderisa sulmuesit vendas dy herë nga pozita të volitshme gjuajtën jashtë portës, pas një harkimi të Papuqit nga e djathta Hyseni qëlloi topin me kokë që u përplas për tërthorëse. Edhe Liria i pati rastet e veta, por që edhe ata i huqën ato.
Në pjesën e dytë Gjilani e mbajti topin më shumë në pronësi, kurse rastet ishin të Lirisë, por sulmuesit e saj, ndonëse dy herë ishin të vetmuar nuk ia dolën që t’a mposhtin Kaqiun.
Historia e dy ndeshjeve të Gjilanit, u përsërit sërish në minutat shtesë, kur pas një sulmi që e nisi Kastrati, është shërbyer Rusi që shpërtheu nga e majta u fut në brendi dhe harkoi, kurse topi shkoi në anën tjetër, ku u gjet Thaçi, i cili e futi atë në rrjetë.