Shkolla e Futbollit “Yjet 06” nga qyteti i Gjilanit, një nga shkollat më të reja në kuadër të Federatës Futbollistike të Kosovës, po shfaqet si një vatër e rëndësishme për zhvillimin e talenteve të reja të futbollit.
Shkolla futbollit e drejtuar nga ish-futbollistët dhe trajnerët e përkushtuar Premton Muja dhe Fidan Qarolli, synon të prodhojë lojtarë të rinj që do të kontribuojnë në klubet dhe kombëtaren e Kosovës, poashtu ndihmë të madhe po i’u jep edhe trajneri i ri me perspektivë të madhe Florent Leka.
Aktualisht, “Yjet 06” garon në “Kinder Liga” me grupmoshat U11, U13 dhe U15, ndërsa për periudhën pranverore planifikon të shtojë edhe ekipin U17.
Trajneri Premton Muja shprehet krenar për rezultatet e arritura deri tani: “Jam shumë i kënaqur për më pak se një vit kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme. Jemi duke u ndërtuar dhe shumë shpejt presim të formojmë U17 për të qenë të kompletuar. Jam shumë i lumtur dhe krenar me të gjithë futbollistët e kategorive tona. Ata kanë talent të jashtëzakonshëm dhe ne jemi këtu për t’i zhvilluar që në një të ardhme të afërt të kenë një rol të rëndësishëm në skuadrat e tyre,” ka thënë Muja.
Shkolla mban një emër simbolik: “Yjet” që përfaqëson ëndrrën e futbollistëve të rinj për t’u bërë yje, ndërsa numri “06” simbolizon regjistrimin e qytetit të Gjilanit.
Trajneri Fidan Qarolli, i cili gjithashtu po jep një kontribut të madh në ngritjen e talentëve të kësaj shkolle, është i fokusuar në zhvillimin e tyre në aspektin sportiv dhe edukativ.
“Të punosh me këta fëmijë është një kënaqësi e madhe. Ne kemi shumë besim te futbollistët tanë që po hedhin hapat e parë në karrierën e tyre. Së bashku me trajnerin Muja, do të japim maksimumin që këta fëmijë të jenë shembull jo vetëm në fushë, por edhe në jetën e përditshme,” ka theksuar Qarolli.
Trajnerët kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e prindërve. “Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë prindërit që besojnë në punën tonë, si në aspektin futbollistik ashtu edhe në atë edukativ. Besimi i tyre per ne eshte nje privilegjë dhe përgjegjësi” ka shtuar Muja.
Në fund, trajnerët Premton Muja dhe Fidan Qarolli kanë uruar Vitin e Ri 2025 për të gjithë futbollistët, prindërit dhe dashamirët e futbollit, duke shpresuar që ky vit të sjellë shëndet, suksese dhe arritje të reja në sport dhe jetë.
“Gëzuar Vitin e Ri 2025! Qoftë një vit i mbarë për të gjithë, plot momente të bukura dhe fitore në fushën e gjelbër dhe jashtë saj,” kanë uruar trajnerët. Shkolla e Futbollit “Yjet 06” vazhdon të jetë një shembull frymëzimi për sportin në Gjilan, me synimin që në të ardhmen të promovojë talente që do të përfaqësojnë Kosovën me krenari në arenën ndërkombëtare.