Sporti Shkollor në Gjilan ka përmbyllur aktivitetet për vitin 2023, kurse këtë fundvit në shenjë falënderimi për të gjithë mësimdhënësit e kulturës fizike dhe sportit është organizuar një darkë e përbashkët, në të cilën pati edhe mysafirë të tjerë, gjithsesi të lidhur me sportin si Muharrem Sahiti – ish futbollist i njohur gjilanas dhe drejtor i përfaqësueses së Kosovës, Armend Misini, kryetar i LRFGJ-së, ish-volejbolliste të njohura, shumë prej tyre tashti mësimdhënëse dhe gazetarë që kanë kontribuuar në afirmimin e sportit shkollor.
Në këtë mbrëmje festive, Afrim Selimi, kryetar i Shoqatës së Pedagogëve të Sportit në Gjilan, ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit për angazhimin që kanë patur gjatë vitit 2023, sikurse që është ndier i nderuar edhe me pjesëmarrësit e tjerë.
“Le të na shërbejë kjo mbrëmje e përbashkët si ngjarje takimi e kujtimi për sukseset e arritura gjatë vitit 2023. Dua që të gjithëve t’u falënderojë për kontributin që keni dhënë në zhvillimin dhe përparimin e sportit e sidomos të sportit shkollor, i cili është premisë e mirë për zhvillimin e sportit në përgjithësi”, ka thënë profesori i kulturës fizike dhe sportit, Afrim Selimi.
Në këtë mbrëmje festive, janë nderuar me mirënjohje edhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në sportin shkollor: Armend Misini, zyrtar për Sport në Komunën e Gjilanit, Enver Sadiku (gazetar), profesorët Blerim Shala, Basri Dërmaku, Fehmi Sherifi, Reshat Syla, pastaj Kushtrim Zeqiri, Ramiz Keka, Teuta Mehmeti, e Blerim Sylejmani.
Mbrëmja ka mbaruar me një atmosferë festive dhe me dëshirat edhe për më shumë suksese në vitin që po vjen./kryelajmi.com/.